Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka uruar lojtarët e përfaqësueses U-17 për barazimin 1:1 me Holandën, të mërkurën në kuadër të Grupit 12 të raundit kualifikues për "Euro 2020".
Një urim nga kryetari i Federatës është e pakta që meritojnë futbollistët deri në 17-vjeç. Holanda është superfuqi evropiane për këtë grupmoshë, ndërsa dy prej katër titujve sa i ka, i ka fituar në dy kampionatet e fundit evropiane, këtë vit dhe vitin e kaluar, shkruan sot Koha Ditore.
Urim tjetër lojtarët e rinj meritojnë për angazhimin dhe kompaktësinë që e treguan në lojën ndaj Holandës, që me shumë gjasë ka kompensuar mungesën e kualitetit, në krahasim me bashkëmoshatarët e tyre holandezë.
Kosovarët e rinj kanë siguruar një pikë në një ndeshje që e kanë dominuar plotësisht kundërshtarët. Të dhënat zyrtare statistikore të UEFA-s tregojnë se Kosova ka shënuar nga rasti i vetëm që kishte për gol. Ndërkohë Holanda kishte plot 21 raste. Tetë gjuajtje të holandezëve shkuan në drejtim të portës, nëntë nuk ishin të sakta e katër iu bllokuan atyre. Por të dyja përfaqësueset shënuan nga një gol dhe morën nga një pikë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)