Sport

Botërori i atletikës rriti dyshimet për “Katari 2022”

Gjatë ditës, Juma Marzouq aprovon planet e mëdha të Katarit për infrastrukturën e gjerë të stadiumeve për Kampionatin Botëror "Katari 2022".

Natën, Marzouq hyn në modalitetin e tifozëve, duke trajtuar sfidën e mbushjes së stadiumeve të futbollit në këtë vend të vogël, përcjell Koha Ditore shkrimin e AP.

Marzouq ka parë shenja inkurajuese që prej hovit të Katarit në fushë gjatë muajit shkurt të këtij viti, kur triumfoi në Kupën e Azisë dhe për herë të parë fitoi një trofe të madh futbolli.

Eksperti i planifikimit urban javën e shkuar vizitoi stadiumin e Al Saddit që ka kapacitet prej 15 mijë ulëseve dhe pothuajse ishte i mbushur për ndeshjen kundër Al Hilalit në gjysmëfinalen Ligën së Kampionëve të Azisë.

"Ne kemi një gjeneratë të re që po vjen nëpër stadiume dhe po i mbush ato", u shpreh Marzouq.

Por, jo gjithmonë kështu është në futboll apo në ndonjë sport tjetër në Katar me gjithë etjen e familjes mbretërore në pushtet për të bërë oferta rreth organizimeve të ngjarjeve të mëdha sportive. Pothuajse pesë kilometra larg stadiumit "Jassim Bin Hamad", pati skena me numër të vogël të tifozëve përgjatë dhjetë ditëve të kampionatit botëror të atletikës të mbajtur në stadiumin "Khalifa".

Organizatorët kishin mbetur duke u përpjekur të shpjegonin arsyen e mijëra vendeve të zbrazëta në tribuna për këtë ngjarje të madhe.

Mësimi i nxjerrë nga botërori i atletikës

"Në çdo ngjarje të mbajtur ka mësime për t'u nxjerrë dhe mësuar për të ardhmen. Nuk mund ta ndërtosh tifozin brenda një dite, por duhet ta lidhësh me sportin, në mënyrë që ai të joshet nga secila ngjarje sportive", ka thënë Dahlan Al Hamad, nënkryetari i komitetit organizativ lokal. "Ne tashmë kemi rritur numrin e tifozëve. Sepse nëse bëjmë një krahasim me periudhën para dhjetë vjetësh, atëherë të gjithë do të mbeteshim shumë të zhgënjyer. Është e rëndësishme se tifozët kanë filluar të krijojnë një kulturë dhe për botërorin e futbollit".

Ashtu si vendimi i diskutueshëm i FIFA për t'ia dhënë Katarit organizimin e botërorit të vitit 2022, njëjtë ishte edhe me botërorin e atletikës që u mbajt në Lindjen e Mesme....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)