Sport

Challandes e Rashkaj e vlerësojnë të rëndësishme miqësoren me Gjibraltarin

Ndeshje tejet të rëndësishme e kanë vlerësuar miqësoren e Kosovës me Gjibraltarin, përzgjedhësi Bernard Challandes dhe mesfushori Anel Rashkaj.

Një ditë para miqësores, të dy kanë vlerësuar se përballja me Gjibraltarin është ndeshje e rëndësishme për përgatitjen për ndeshjen e së hënës ndaj Malit të Zi, e vlefshme për Eliminatoret për “Euro 2020”.

“Ndeshja ndaj Gjibraltarit është e rëndësishme pasi ka lojtarë që s’kanë luajtur shumë me Përfaqësuesen dhe është mundësia që të luajnë në këtë takim”, ka thënë Rashkaj.

Në anën tjetër, përzgjedhësi Challandes ka thënë se “përballja me Gjibraltarin është e rëndësishme për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjen ndaj Malit të Zi”.

Ai ka shtuar se pret që në ndeshjen “përgatitore” për Malin e Zi, çdo lojtar të japë maksimumin.

Për ndeshjen me Malin e Zi, Rashkaj ka thënë se Kosova duhet të jetë e kujdesshme e me këmbë në tokë.

“E dimë që s’do të jetë e lehtë. Kanë skuadër të mirë me lojtarë që luajnë në ligat më të forta evropiane”, ka shtuar ai.

Ndeshja Kosovë – Gjibraltar luhet në “Fadil Vokrri” të enjten me fillim prej orës 18:00.