Dybala ka larguar presionin, tash pret të shkëlqejë

Dybala ka larguar presionin, tash pret të shkëlqejë

09 October 2019 12:52

Sulmuesi argjentinas Paulo Dybala insiston se tash po ndihet shumë më mirë te Juventusi sesa para përfundimit të afatit kalimtar të verës.

Në një intervistë për mediumet italiane të martën, ai ka zbuluar se kishte presion të madh, pasi emri i tij çdo ditë ishte i pranishëm nëpër mediume, të cilat insistojnë në largimin e argjentinasit nga kampioni i Italisë.

Klikoni këtu për ta lexuar numrin e sotëm të Kohës Ditore FALAS

Ai ka zbuluar se ka pasur në tavolinë ofertat nga Manchester Unitedi dhe Tottenhami, por i ka refuzuar pasi dëshironte t'i mbetej besnik fanellës bardhezi. Ka shtuar se tash ka larguar presionin nga vetja dhe ka filluar të flasë në fushë, pasi ka bindur trajnerin Maurizio Sarri për një vend titullari.

Para fillimit të këtij edicioni thuhej se për Dybalan nuk do të kishte vend në ekipin e trajnerit Sarri, por sulmuesi në ndeshjet e fundit po shkëlqen në fushë, transmeton Koha Ditore shkrimin e Daily Mial.

25-vjeçari në derbin ndaj Interit ishte titullar dhe shënoi gol për t'u shpërblyer me notën më të lartë për paraqitjen e tij. Ky është goli i vetëm i Dybalas në Serie A, ka dhënë edhe dy asistime në 327 minuta lojë. Një gol dhe një asistim e ka edhe në Champions, garë ku këtë sezon ka luajtur 17 minuta deri më tash.

"Ka qenë një verë shumë e vështirë për mua. Nuk është gjë e mirë ta dëgjosh emrin tënd për çdo ditë që lidhet me një ekip tjetër, tek i cili nuk doja të shkoja. Isha i vendosur të qëndroja te Juventusi dhe këtë ua pata bërë me dije edhe krerëve të klubit para se të hapej afati kalimtar", ka pranuar Dybala. "Mundohesha të stërvitesha dhe të jepja më të mirën, por ishte vështirë, sepse nuk e dija se çfarë do të ndodhte, pasi çdo ditë dilte në skenë një ekip i ri. Kam refuzuar oferta dhe për këtë nuk jam pishman".

Dybala është pjesë e Juventusit prej verës së vitit 2015, kur u transferua nga Palermo për 40 milionë euro dëmshpërblim. Me Juventusin ka fituar katër tituj kampioni dhe ka kontratë deri në vitin 2022. Tash, pasi e ka besimin e trajnerit Sarri, Dybala ka paralajmëruar se loja e tij do të përmirësohet dhe do të jetë një prej lojtarëve më të rëndësishëm te Juve.

"Mendoj se paraqitja ime e fundit kundër Interit është sinjal se mund të jap ende shumë për fanellën e Juventusit. Kam larguar presionin që e kisha tërë verën dhe pres të jem lojtar kyç në arritjen e synimeve të klubit", u shpreh Dybala. "Jam shumë i qetë mentalisht dhe po vazhdoj të punoj shumë. Isha i bindur se me Sarrin do të kënaqem dhe dua t'u dëshmoj të gjithëve se meritoj të jem pjesë e një ekipi të madh si Juventusi".

Ndërkohë trajneri Sarri ka thënë se Dybala është një aset shtesë për ekipin e tij, pasi është zhvilluar dukshëm prejse ka marrë drejtimin e Juventusit.

Sarri ka thënë se Dybala do të përmirësohet me kalimin e ndeshjeve dhe do të jetë rreziku më i madh për portat kundërshtare.

"Prej fillimit kam llogaritur në Dybalan dhe nuk doja që të largohej nga Juventusi. Ai është lojtar i shkëlqyer dhe këtë tashmë e ka treguar", ka thënë Sarri.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme