Sport

Të rinjtë po i shtyjnë Anglinë e Italinë drejt “Euro 2020”

Përfaqësueset e Anglisë dhe Italisë, që kanë formuar skuadra të reja dhe të talentuara, janë pranë kualifikimit në "Euro 2020", pasi iu mungon vetëm edhe nga një fitore për të siguruar pjesëmarrjen në turneun e vitit të ardhshëm, ndonëse eliminatoret nuk do të përfundojnë deri në muajin nëntor.

Anglia e Italia janë dy prej pesë përfaqësueseve që mund të kualifikohen për "Euro 2020" gjatë ndeshjeve të këtij muaji.

Gjithashtu, kualifikim të hershëm këtë muaj mund të sigurojnë edhe Spanja, Belgjika e Rusia. Por Anglia dhe Italia dallojnë prej tyre për shkak se në përbërje kanë kryesisht lojtarë të rinj, shkruan AFP.

Me nga dy ekipe që kualifikohen direkt për evropian prej dhjetë grupeve, Anglisë i nevojitet fitorja në ndeshjen që e luan të premten në Pragë ndaj Çekisë. Kjo ndeshje luhet në kuadër të Grupit A, të cilit Anglia i prin me 12 pikë nga katër ndeshje, duke lënë pas vetes Çekinë (9) dhe Kosovën (8) që kanë nga një ndeshje më shumë të luajtur, transmeton Koha Ditore.

Seleksionuesi Gareth Southgate ka ndërtuar ekip të mirë pas botërorit "Rusia 2018", ku arriti deri në gjysmëfinale dhe i cili ka treguar një dominim total në eliminatoret për "Euro 2020" pasi ka realizuar 19 gola.

Klikoni këtu për ta lexuar numrin e sotëm të Kohës Ditore FALAS

Ndihmë të madhe Anglisë po i jep edhe sulmuesi i krahut, Raheem Sterling. 24-vjeçari është njëri prej lojtarëve kryesorë në ekipin e Southgatet, pasi në gjashtë ndeshjet e fundit ka realizuar gjashtë gola. Gjithashtu, tek Anglia kohët e fundit kanë dalë në skenë edhe lojtarët si Declan Rice (20) i West Hamit e Jadon Sancho (19) i Borussia Dortmundit. Sancho golat e parë me Anglinë i shënoi në ndeshjen eliminatore të muajit të shkuar kundër Kosovës, që përfundoi 5:3 në të mirë të anglezëve.

Për ndeshjet e këtij muaji, Southagate ka shpërblyer me ftesë edhe tre lojtarët e rinj të Chelseat: Mason Mount, Fikayo Tomori e Tammy Abraham që po shkëlqejnë në kampionat. Mount është njëri prej shënuesve më të mirë, kurse Abraham po konsiderohet si zbulimi i këtij edicioni.

"Kemi lojtarë të rinj dhe shpërblim i madh do të ishte për të gjithë nëse këtë muaj sigurojmë kualifikimin në evropian. Do të ishim shumë më të qetë", ka thënë Southgate.

Ndërkohë Roberto Mancini ka vazhduar rindërtimin e Italisë, duke arritur gjashtë fitore në po aq ndeshje të luajtura në Grupin J. Italia e rinuar ka rastin që ta sigurojë evropianin me fitoren eventuale kundër Greqisë, në ndeshjen që luhet të shtunën.

Kjo ndeshje zhvillohet në "Stadio Olimpico" të Romës dhe Mancini pret që të përzgjedhurit e tij të mos e zhgënjejnë as këtë herë.

"Është një rast i mirë, të cilin nuk duam ta lëshojmë nga dora. Por, edhe nëse nuk kualifikohemi tash, një gjë të tillë mund ta bëjmë në ndeshjet e tjera. Kështu që, nuk kemi ndonjë presion për këtë çështje", është shprehur Mancini.

Nëse dështon kundër Greqisë, Përfaqësuesja e Italisë do ta ketë rastin javën tjetër, në ndeshjen kundër Lihtenshtajnit që e luan në udhëtim më 15 tetor.

Ish-trajneri i Interit dhe Manchester City ka marrë përsipër ndërtimin e ekipit kombëtar pas dështimit për t'u kualifikuar në botërorin "Rusia 2018". Me ardhjen e Mancinit në krye të Italisë kanë dalë në skenë edhe lojtarët si Nicolo Barella, Nicolo Zaniolo e Gianluigi Donnarumma që janë pikat kryesore të "azzurëve".

Edhe Spanja është afër kualifikimit si lidere e grupit dhe i duhet fitorja ndaj Norvegjisë e Ishujve Faroe gjatë këtij muaji për ta siguruar kualifikimin. Ndërkohë Belgjikës dhe Rusisë iu mjaftojnë edhe barazimet në ndeshjet e para të këtij muaji përpara se të kërkojnë fitoret për ta prerë biletën për evropian.

Të enjten si Belgjika ashtu edhe Rusia me barazime eventuale mund të bëjnë një hap para drejt kualifikimit. Belgjika përballet me Kazakistanin, kurse Rusia me Qipron përpara se të luajnë javën tjetër me San Marinon, përkatësisht Skocisë.

Ekip të ri në këto eliminatore ka edhe Holanda që gjithashtu po kërkon të kualifikohet nga Grupi C, të cilit i prijnë Gjermania e Irlanda e Veriut me nga 12 pikë, por kanë nga një ndeshje më shumë të zhvilluar. Holanda është e treta me nëntë pikë dhe këtë muaj do të luajë me Irlandën e Veriut në shtëpi dhe Bjellorusinë në udhëtim.

"Kemi ekip me lojtarë të rinj dhe mjaft të talentuar, gjë që është shumë e rëndësishme. Jemi në garë për kualifikim dhe nuk do të dorëzohemi deri në fund", ka paralajmëruar seleksionuesi i Holandës, Ronald Koeman.

Holanda ka dështuar të kualifikohet në botërorin dhe evropianin e fundit.