Peja humb derbin, por “fiton” shikuesit

Peja humb derbin, por “fiton” shikuesit

Arsim Maxhera Arsim Maxhera 07 October 2019 10:06

Peja nuk ka mundur t'i bëjë ballë forcës së Sigal Prishtinës, por ka marrë sinjale shumë të mira për të ardhmen. Mbushja përplot me shikues e palestrës “Karagaçi” është “fitorja” e madhe që e kanë synuar në klubin pejan nga derbi i xhiros së tretë të Superligës në basketboll me kampionen në fuqi.

Ndeshjen e luajtur të shtunën mbrëma para rreth 3000 shikuesve, Prishtina e fitoi me shifrat 85:72. Atmosfera e krijuar në palestrën në Pejë ishte e njëjtë me atë që krijohej në kohën kur basketbolli kosovar ishte në kulmin e tij, shkruan sot “Koha Ditore”.

Peja kishte përkrahje të madhe nga shikuesit, por aktualisht nuk e ka cilësinë për të mposhtur Prishtinën. Peja javë më parë ka formuar skuadrën për edicionin e ri, pasi u konfirmua kthimi i këtij klubi në Superligë, pas një viti mungesë. Peja tre vjet më parë ishte futur në krizë të thellë. Dy edicione më parë mezi përfundoi garat, ndërsa në edicionin e kaluar pushoi aktivitetin. Pas riorganizimit të bërë gjatë verës, Peja është kthyer në Superligë, ndërsa skuadrën e ka formuar shumë vonë.

Lojtari kryesor i Pejës, Drilon Hajrizi, po mungon për shkak të një lëndimi. Në mungesë të tij, Henrik Shirko ishte më i dalluar te Peja me 15 pikë, 8 kërcime e 8 asistime. Malcolm Armstead kontribuoi me 14 pikë, ndërsa Albin Berisha shtoi 13 pikë tjera. Te Prishtina u dallua Fahro Alihoxhiq me 21 pikë e 9 kërcime. Divine Myles kishte 22 pikë, ndërsa Mikaile Tmushiq 17.

“Është më se e sigurt se në ndeshje të forta, palestra në Pejë do të jetë gjithmonë plot. Kjo është një shenjë dhe dëshmi se ekipi i ka munguar qytetit. Ne e humbëm ndeshjen nga Prishtina, por të gjithë ishin të kënaqur me ekipin edhe pse kemi vetëm dy javë së bashku dhe jemi pa Drilon Hajrizin. Është mirë që në fund të gjithë folën për Berishën. Por jo për Dardanin, për Albinin”, ka thënë trajneri i Pejës, Jeronimo Sharin.

Peja në përbërje ka katër basketbollistë të huaj dhe disa lojtarë vendorë me përvojë. Por Hajrizi vlerësohet i vetmi prej top-lojtarëve vendorë që e ka Peja në përbërje. Sipas Sharinit, Pejës i duhet komponim i mëtejmë i skuadrës për të treguar edhe më shumë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme