Mesfushori i Real Madridit, Eden Hazard, ka pranuar se ka nevojë për t'u përmirësuar ende në mënyrë që të mundë të konsiderohet "galaktik", pas një starti të ngadaltë të këtij edicioni, ku nuk arriti as të shënojë e as ta ndihmojë ekipin e tij të ri.
Belgu iu bashkua Real Madridit para fillimit të këtij edicioni nga Chelsea për 100 milionë euro. Te Reali shihet si përforcim i madh që do ta ndihmojë ekipin pas një edicioni katastrofal. Hazard po shihet si zëvendësim për Cristiano Ronaldon, pasi ka marrë edhe numrin e tij në fanellë, shkruan sot Koha Ditore.
Ronaldo verën e shkuar u largua nga Reali për t'u transferuar te Juventusi. Portugezi është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave te Real Madridi dhe Hazard e ka shumë mirë këtë fakt parasysh. Ai ka pranuar se do të jetë shumë vështirë të zëvendësohet një lojtar si Ronaldo.
"Ende nuk jam galatik, më duhet ta dëshmoj se mund të jem një prej tyre në ekip. Të gjithë e dimë historinë e fanellës me numrin shtatë, kështu që do të mundohem të tregoj se jam më i miri në botë edhe pse nuk do të jetë lehtë. Do të jap gjithçka nga vetja, jo vetëm në ndeshje, por edhe stërvitje", është shprehur Hazard.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)