Prishtina dhe Rahoveci premtojnë spektakël për Superkupë Foto: FBK

Prishtina dhe Rahoveci premtojnë spektakël për Superkupë

23 September 2019 15:36

Edicioni i ri në basketbollin e Kosovës fillon me dy ndeshjet e Superkupës. Prishtina-Bashkimi te femrat dhe Sigal Prishtina-Rahoveci te meshkujt.

Ndeshjet zhvillohen në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, që është organizatore së bashku me Federatën e Basketbollit të Kosovës.

Prishtina dhe Rahoveci ishin ndeshur edicionin e kaluar edhe në finale të “Play-off”-it dhe Kupës, ku përballjet ishin shumë interesante.

Kapiteni i Sigal Prishtinës, Dardan Berisha thotë se Superkupa është mënyra më e mirë për të nisur edicionin e ri.

“Deri më tani jemi përgatitur për ndeshjet e Ligës së Kampionëve, kurse tani jemi fokusuar për sfidën e Superkupës. Besoj se do të jetë një spektakël i basketbollit, pasi palestra do të jetë e mbushur me tifozë dhe më i miri të fitoj në fund. Sigurisht ne, pas titullit dhe Kupës, duam edhe trofeun e Superkupës, por me rëndësi është që të jetë një ndeshje e bukur për tifozët dhe të nisë edicioni i ri i basketbollit në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi Berisha për faqen e FBK-së.

Kapiteni i Rahovecit, Rron Grapci, pret një ndeshje të bukur për tifozët. “Ne jemi përgatitur për të dhënë maksimumin në fushë. Shpresoj se do të jetë një spektakël për tifozët. Përparësia për ne është se do të kemi ndihmën e tifozëve, derisa mendoj se, Prishtina nuk është e fortë si e vitin e kaluar. Sidoqoftë, nuk do të jetë një ndeshje e lehtë për të dy palët dhe besoj që do të zhvillohet një ndeshje dramatike dhe skuadra që e meriton të fitoj në fund”, ka thënë Grapci për faqen e FBK-së.

Ndeshja e meshkujve zhvillohet të martën nga ora 20:30 e ajo e femrave në po të njëjtën ditë me fillim nga ora 17:30, kurse derisa biletat kanë dalë në shitje dhe kushtojnë nga 3 euro për dy takimet e ditës së martë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme