Sport

FFK-ja mban programin për fëmijë “Grassroots Week”

Federata e Futbollit e Kosovës, ashtu sikurse edhe anëtaret e tjera të UEFA-s, ka nisur aktivitetet e saj për të shënuar “Grassroots Week”.

Në fakt, në kuadër të programit të futbollit bazik “Grassroots”, të gjitha anëtaret e UEFA-s për çdo vit në muajin shtator mbajnë festivalin ‘Java e Grassroots’-it.

Në shënim të kësaj jave, sot, FFK, nën përkujdesjen e menaxheres për ‘Grassroots’, Sanije Krasniqi dhe trajnerëve të këtij programi, ka organizuar aktivitet me fëmijët e shkollave të regjionit të Prishtinës në stadiumin e KF “Rilindja”, transmeton kp.

Fëmijë të moshave të ndryshme janë argëtuar me lojën e futbollit, të ndarë në grupe, së bashku vajza e djem.

Qëllimi i këtyre aktiviteteve është që futbolli të ketë ndikim në komunitet dhe të nxisë pjesëmarrjen e fëmijëve të të gjitha grupmoshave që të merren sa më shumë me sport dhe ta shijojnë lojën e bukur të futbollit.

Aktivitetet e këtij lloji do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, derisa stacioni i radhës do të jetë Mitrovica, ku lojën e futbollit do ta shijojnë fëmijët me nevoja të veçanta.