Pas gati gjysmë viti pauzë, mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës, Hekuran Kryeziu, u është kthyer stërvitjeve. Skuadra e Zuerichut, të enjten, ka njoftuar se Kryeziu ka lënë pas vetes lëndimin dhe ka filluar të bëhet gati që sa më shpejtë të jetë në dispozicion të trajnerit dhe ekipit.
Kryeziu në prill lëndoi ligamentet e gjurit dhe prej asaj kohe nuk ka qenë në gjendje ta ndihmojë as Zuerichun e as Përfaqësuesen e Kosovës. Ai ishte dëmtuar më 22 prill në ndeshjen e fundit të kampionatit zviceran, që Zuerichu e luajti ndaj Luganos, kurse pas analizave ishte konstatuar se Kryeziu do t'i duhej të pushonte të paktën gjashtë muaj. Te Zuerichu kanë njoftuar për kthimin e Kryeziut në stërvitjet, por jo edhe se kur do të jetë i gatshëm për lojë. Tifozët në Kosovë shpresojnë që ai të jetë gati për ndeshjen e 14 tetorit kundër Malit të Zi, shkruan sot Koha Ditore.
"Hekuran Kryeziu këtë javë është kthyer në fushë dhe po stërvitet pas lëndimit të ligamenteve të gjurit që e pësoi në prill. Ai pas pauzës ka nisur të stërvitet gradualisht", kanë shkruar mediumet zvicerane.
Shkaku i lëndimit, Kryeziu që është njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm te Kosova nuk ka qenë i pranishëm në ndeshjet eliminatore për "Euro 2020", që u zhvilluan në muajin qershor dhe gjatë këtij muaji. Kryeziu ishte njëri prej pesë futbollistëve që i munguan Kosovës në ndeshjet me Çekinë e Anglinë.
(shkrimin e plotë e gjeni sot në “Koha Ditore”)