Federata e Futbollit të Kosovës ka kërkuar nga FIFA e UEFA që të reagojnë urgjentisht ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë që dëshiron organizimin e ndeshjeve garuese në kuadër të Kupës së Serbisë, në Zveçan, në mes të klubit ilegal Trepça nga Mitrovica e Veriut dhe Crvena Zvezdës nga Beogradi.
Në një reagim të FFK-së, thuhet se FIFA e UEFA nuk duhet të lejojnë shkeljen e statuteve dhe duhet të parandalojnë “ndonjë skenar të destabilizimit të gjendjes në veri të vendit tonë”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTeksa ka thënë se nuk ka dhënë leje për ndeshje të tilla, FFK e ka cilësuar provokim të rëndë nga FFS-ja dhe ka kërkuar masa edhe nga institucionet shtetërore.
“Po ashtu kërkojmë nga institucionet e shtetit dhe organet e rendit e të sigurisë që ta trajtojnë me urgjencë këtë çështje dhe të marrin masat e duhura, në mënyrë që të mbrohet integriteti i FFK-së. FFK-ja, si organi i vetëm legal për të organizuar gara të futbollit në Kosovë, nuk ka dhënë leje për zhvillimin e një ndeshje të tillë dhe këtë e vlerëson si provokim të rëndë nga Federata e Futbollit e Serbisë”, thuhet në njoftim.
Në fund, FFK ka shtuar se është e hapur për t’i përfshirë në ombrellën e vet të gjitha klubet që veprojnë në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike.
“Prandaj, i ftojmë klubet serbe që ta pranojnë sa më parë realitetin dhe aktivitetin e tyre ta zhvillojnë në kuadër të garave të rregullta të organizuara nga FFK. Çdo gjë tjetër është mashtrim dhe nuk i dërgon ato në rrugën e zhvillimit dhe perspektivës!” thuhet në reagim të FFK-së.