Sport

Me shkëlqimin te Barça, 16-vjeçari pritet të ftohet edhe nga Spanja

Tinejxheri sensacional i Barcelonës, Ansu Fati, është kandidat që të ftohet nga përfaqësuesja e Spanjës në futboll. Këtë e ka thënë seleksionuesi i Spanjës, Roberto Moreno. Fati 16-vjeçar ka ndriçuar stadiumin "Camp Nou" të shtunën me një paraqitje tjetër impresive, ndërsa Barcelona triumfoi 5:2 ndaj Valencias.

Pasi është bërë lojtari më i ri i Barcelonës që shënoi në ligë, duke realizuar dy javë më parë ndaj Osasunas, Fati është bërë më i riu që ka shënuar gol në La Liga në "Camp Nou", kur hapi serinë e golave të shtunën pas vetëm dy minutave me një gjuajtje me të parën, shkruan sot Koha Ditore.

Fati më pas terrorizoi mbrojtjen e Valencias me një depërtim impresiv në zonë para se të pasonte për Frenkie de Jongun që shënoi golin e dytë të Barcelonës. Ai vazhdoi të shkatërronte skuadrën mysafire, para se të zëvendësohej dhe të marr ovacione nga tifozëria.

Seleksionuesi i Spanjës, Moreno, ishte në tribuna në "Camp Nou", për të parë nga afër sensacionin e ri. Fati është i lindur në Guinea-Bisau, por është vendosur në Spanjë si gjashtëvjeçar.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)