Ademi: Nuk mund t’ia ndalim politikanëve të takojnë futbollistët e Kosovës

Ademi: Nuk mund t’ia ndalim politikanëve të takojnë futbollistët e Kosovës

15 September 2019 22:47

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se nuk mund t’i ndalin politikanët që të takojnë ekipin kombëtar të Kosovës.

Në një intervistë për Sportin Total në KTV, Ademi ka komentuar raportimet e shumta për takimin e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, me lojtarët e kombëtares së Kosovës, gjatë parafushatës.

Një ditë para ndeshjes eliminatore me Çekinë, Veseli, ish-kryeparlamentar, kishte publikuar dy klipe zgjedhore ku përfshiheshin futbollistët e Kosovës dhe kreu i FFK-së. Aty Ademi e lavdëron Veselin, ndërsa futbollistët ia dhurojnë të parit të PDK-së një portret të tij me futbollistët.

Gjesti i Veselit kishte nxitur reagime të shumta, ku madje pati edhe peticion online për të shkarkuar Ademin se po e vë FFK-në në shërbim të politikës.

Ademi në këtë rast ka thënë se nuk mund t’i ndalë politikanët dhe krerët e shtetit të vizitojnë lojtarët.

“Duhet të kuptoni që kombëtarja është e të gjithëve. Federata e Futbollit nuk ia ndalon askujt, madje as edhe një politikani, sepse edhe s’mundemi një kryeministri apo një ish-kryeministri t'ia ndalojmë të vijë, sepse Ramush Haradinaj (kryeministër në detyrë) ka qenë ai njeri që ka ndihmuar shumë. Çdo kërkesë që kemi pas e ka përmbushur. Edhe Veseli njashtu ka qenë iniciues e propozues i 500 mijë eurove për premi. Ka ndodh sepse ishte e paraparë shumë më herët. Ka qenë iniciativë apo dëshirë e futbollistëve që një fotografi, që e keni pa që e kanë bërë futbollistët, kanë dashur t’ia japin. Kjo është bërë para ndeshjeve. Fotografia ishte bërë pas ndeshjes me Bullgarinë, muaj më parë. Kanë dashur t’ia japin fotografinë si shenjë falënderimi që ka ndarë mjetet për ta. S’ka qenë gjë e keqe sepse ne nuk i bëjmë favor askujt. Kjo ide ka ndodhur pas ndeshjes me Bullgarinë. Grumbullim s’kanë pasur deri tash para ndeshjeve. Ata e kanë caktuar datën paraprakisht që të jetë para ndeshjeve. Ka qenë koincidencë që është shpërnda kuvendi, por futbollistët s’kanë dashur t’i bëjnë favor askujt. Unë si kryetar s’kam asnjë simpati dhe nuk vihem në shërbim të askujt”, ka thënë Ademi.

Ai ka shtuar se kombëtarja është storie e suksesit dhe askujt nuk i ndalohet t’iu afrohet futbollistëve.

Ademi s’ka dashur të lidhë rastin e tij penal me këtë situatë duke kërkuar “t’i gjendet gabim në punën e tij në futboll”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme