Zgjedhjet 2019

FFK-ja në shërbim të fushatës së PDK-së

Descriptive Text

Federata e Futbollit të Kosovës është vënë sot në shërbim të një partie të vetme politike – PDK-së. Kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli, ka publikuar dy video gjatë ditës ku i përdor futbollistët e Kombëtares për fushatë parazgjedhore.

Atdhe Nuhiu shikon me habi, teksa Kadri Veseli, tani vetëm kryetar i PDK-së, ka përdorur FFK-në dhe Kombëtaren e Futbollit për fushatë partiake, transmeton KTV.

Një ditë para ndeshjes eliminatore me Republikën Çeke, Veseli ka publikuar dy klipe zgjedhore, ku përfshihen futbollistët e Kombëtares dhe kreu i FFK-së.

Agim Ademi, Kryetar i Federatës, dëgjohet duke e lavdëruar Veselin, për, siç thotë ai, shtrimin e rrugës për të ecur përpara.

Portieri i pashfrytëzuar, Samir Ujkani, i dorëzon një dhuratë Veselit – një portret i tij me futbollistët, në një tjetër rast, kur Veseli në Bullgari u kishte hyrë atyre në zhveshtore pa paralajmërim.

Veseli më pas mban një fjalim, sipas të cilit ky beson se vetëm Kosova ka besim në fitore dhe punë ekipore.

Pjesë e fushatës së Veselit është bërë edhe trajneri zviceran, Bernard Challandes.

Në një tjetër video, ku shfrytëzohen futbollistët e Kosovës për fushatën e PDK-së, Kryetari i saj, Veseli, e nis një sfidë të çuditshme ku i fton 5 personalitete të ndryshme për të përkrahur Kosovën.

Gjesti i Veselit është kritikuar në mediet sociale, duke përfshirë edhe komentet në vetë faqen e Kryetarit të PDK-së.

Edhe më herët, në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit, Veseli u ka shkuar pa paralajmërim lojtarëve në stërvitje e në zhveshtore pas ndeshjeve.