Sport

Xhaka thotë se Arsenali iu frikësua Watfordit

Foto: Reuters

Mesfushori i Arsenalit, Granit Xhaka, ka thënë se ekipi i tij u frikësua në përballjen me Watfordin dhe kjo bëri që t’i lëshojë tri pikët edhe pse pjesën e parë e mbylli me dy gola epërsi.

“Topçinjtë” u ndalën 2 me 2 në xhiron e pestë të Premier Ligës, duke avancuar 2 me 0 në pjesën e parë, por me Watfordin që ishte afër përmbysjes së plotë të rezultatit në fund të ndeshjes.

“Gjithçka ishte në rregull pas pjesës së parë. Ishim të gjithë të lumtur, por dolëm e luajtëm aq keq në pjesën e dytë. Mund të themi se jemi me fat që po marrim një pikë. Ishim të frikësuar në pjesën e dytë. E dinim se do të na sulmonin dhe shtynin, por duhet të tregojmë më shumë karakter e të mos frikësohemi”, ka thënë ai pas takimit për “SkySports”.

Xhaka ka thënë se gabimet në mbrojtjen e Arsenalit nuk duhet të përsëriten.

Tek Arsenali dy golat në pjesën e parë i realizoi Pierre-Emerick Aubameyang, ndërsa Watfordi u kundërpërgjigj me një gol të Tom Cleverleyt pas një gabimi nga Papa Sokratis dhe një penaltie të realizuar nga Roberto Pereyra. Penaltinë e shkaktoi qendërmbrojtësi tjetër i Arsenalit, David Luiz.