Sport

Paraqitja e Challandesit në konferencë “pushton” mediat në Angli

Paraqitja e përzgjedhësit të Kosovës në futboll, Bernard Challandesit, para ndeshjes me Çekinë, ka pushtuar mediat në Angli, një ditë para përballjes mes dy kombëtareve në rrugën për “Euro 2020”.

Challandesi kishte bërë deklaratë të veçantë në konferencë duke treguar se çfarë loje kërkon ndaj çekëve. “Duhet ta bëjmë një lojë të çmendur, sepse nuk mund të luajmë lojë normale”, kishte thënë ai duke treguar me gjeste se si mendon që lojtarët e tij duhet të luajnë.

Deklarata e tij po shihet si paralajmërim për Anglinë, nga mediat angleze. “Sky Sports”, “Daily Mail”, “The Sun” e shumë mediume tjera kanë publikuar videon e deklaratës, tashmë të famshme të Challandesit.

Pas fitores së Kosovës ndaj Çekisë përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate, kishte deklaruar se e sheh përballjen me “Dardanët” si më të vështirën e grupit.

Kosova të shtunën mposhti Çekinë 2 me 1 për të bërë hap të madh në rrugën e kualifikimit për Evropian. Të martën, në Southampton Anglia e pret Kosovën në ndeshjen mes dy ekipeve të para të Grupit A. Ndeshja nis në orën 20:45. Në Grupin A, Anglia prin me nëntë pikë pas tri ndeshjeve. Kosova është e dyta me tetë pikë pas katër ndeshjeve. Çekia është e treta me gjashtë, ndërsa Mali i Zi e Bullgaria mbyllin grupin me nga dy pikë.