Policia e Kosovës ka nisur sot aktivitet me të cilat shënon 20 vjetorin jubilar të themelimit. Java e Policisë së Kosovës do të shënohet me aktivitete të shumta sportive, deri në ceremoninë kryesore që do të mbahet më 6 shtator.
Në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, sot u zhvillua një ndeshje futbolli më ndryshe.
Në palestër u shfaqën menaxhmenti i lartë i Policisë së Kosovës të cilën zhvilluan ndeshjen e parë, e cila u paraprin shumë të tjerave që do të zhvillohen për një javë rresht në vende të ndryshme të Kosovës.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se tash e 20 vjet policia në mënyrë të suksesshme po u shërben qytetarëve të Kosovës.
Sipas tij, në këtë javë, pjesëtaret e PK-së do të paraqiten më ndryshe, jo siç janë mësuar t’i shohin qytetarët, çdoherë zyrtarë dhe në uniformë.
“Ky shënim i këtij përvjetori është i veçantë për ne, meqenëse është 20 vjetori dhe kemi planifikuar disa aktivitete të shumta. Mund të them që garat sportive janë gjëja më e mirë e mundshme që mund t’u ndodhë policëve, përveç asaj zyrtares, ne tregojmë që jemi njerëz, jemi banorë të këtij vendi, pjesëtarë të komunitetit dhe normalisht që varësisht hierarkisë komanduese që e kemi, ne garojmë në mes vete në lojë, në futbollit, volejbollit, ping-pong e sporte të tjera, me të vetmin qëllim, që të shoqërohemi që është qëllimi kryesor. Po ashtu, edhe të shënojmë këtë ditë që për ne është e një rëndësie të veçantë”, tha ai.
Drejtori i PK-së foli edhe për mediat, ku tha se në një të ardhme të afërt synojnë aktivitete të tilla të përbashkëta.
“Konsideroj që në të ardhmen e afërt do të bëjmë edhe një aktivitet sportive në mes të pjesëtareve të Policisë së Kosovës dhe mediave të ndryshme, kushdo që është i interesuar, në mënyrë që të afrohemi sa më shumë, ju t’i paraqitni sukseset e policisë, por edhe të metat eventuale, dhe po ashtu meqenëse ne kemi një mision t’i shkërbejmë qytetarëve, e ju po ashtu t’i informoni qytetarët”, tha ai.
Më 6 shtator, Policia e Kosovës shënon 20 vjetorin e themelimit.
Nga sot, deri më 6 shtator do të zhvillohen aktivitete të sporteve të ndryshme, ndërsa më 2 shtator do të hapet një ekspozitë Policore në Muzeun e Kosovës e cila do të jetë e hapur deri më 9 shtator./KsP.