Sport

Kahni do ta drejtojë Bayernin nga viti 2022

Descriptive Text

Kampioni i Gjermanisë në futboll, Bayern Muencheni, të premten ka njoftuar për ndryshimet e bëra në udhëheqjen e klubit. Ish-kapiteni, Oliver Kahn, do të kthehet vitin tjetër në klub si anëtar i bordit, përpara se të marrë rolin e presidentit dhe të shefit ekzekutiv në vitin 2022. Udhëheqësi aktual i klubit, Uli Hoeness, ka konfirmuar largimin e tij.

Hoeness po largohet nga Bayerni pas gati gjysmë shekulli si lojtar, drejtor i përgjithshëm dhe president. Hoenessin në rolin e presidentit deri në vitin 2022, kur do të vijë Kahn, do ta zëvendësoj Karl-Heinz Rummenigge, transmeton Koha Ditore shkrimin e Reuters.

Kahn, që njihet me nofkën "Titani" dhe që ka fituar tetë tituj kampioni me Bayernin prej vitit 1994 deri në vitin 2008, sa ishte pjesë e këtij klubi, ka firmosur kontratë pesëvjeçare për rolet që e presin. Bordi aktual i klubit ka votuar unanimisht për këtë lëvizje në udhëheqje.

"Është një nder i madh për mua që të kthehem te Bayerni pas një kohe të gjatë, fillimisht si anëtar i bordit dhe pastaj në rolin e presidentit dhe shefit ekzekutiv. Falënderoj klubin që ka pasur besim të plotë në aftësia e mia", është shprehur Kahn, 50-vjeçar. "Jam shumë i lidhur me Bayernin dhe ky vendim i klubit vetëm se e konfirmon dashurinë e madhe që kemi pasur për njëri-tjetrin".

Kur kontrata e Rummenigges skadon më 31 dhjetor të vitit 2021, Kahn do të marrë rolin e presidentit te Bayerni.

"Do ta kryej këtë rol me përgjegjësinë më të madhe përpara se t'i dorëzoj një legjende te Bayernit si Kahni", ka thënë shkurt Rummenigge.

Hoeness, i cili ka fituar titullin e botës me Gjermaninë në vitin 1979, ka thënë se e ka pasur shumë vështirë të marrë vendimin për t'u larguar nga Bayerni. Ai në vitin 1979 ishte emëruar drejtor i përgjithshëm, kurse postin e presidentit e ka mbajtur prej vitit 2009. Hoeness ka thënë me bindje të plotë se klubin po e lë në duar të sigurta, pasi si Rummenigge ashtu edhe Kahn do të vazhdojnë rrugën e tij dhe do ta ngrenë Bayernin në nivele edhe më të larta.

"Këtë vendim nuk e kam marrë shpejt, pasi për një kohë të gjatë e kam menduar. Familja dhe gruaja ime më kujtuan se dëshirojnë që të kalojnë më shumë kohë me mua. Kështu që kjo është arsyeja që po tërhiqem nga klubi", është shprehur Hoeness. "Gjithmonë kam dashur që klubin ta lë në gjendje fantastike dhe ashtu kam bërë. Gjithashtu kam dashur që kur të largohem të lë pas vetes një personel të jashtëzakonshëm".

Sipas Hoenessit, ish-portieri Kahn është zgjedhja më e mirë e mundshme. Ai thotë se Kahn e njeh shumë mirë Bayernin, ekip për të cilin ka regjistruar më shumë se 400 paraqitje në karrierë. Ish-portieri i Gjermanisë me Bayernin ka fituar edhe Ligën e Kampionëve.

"Ka kohë që te Bayerni kemi shikuar për të përfshirë një gjeneratë të re të drejtuesve të klubit. Dhe kjo gjeneratë do të nisë me Oliver Kahnin", është shprehur Hoeness.

Kahn është shumë i njohur në Gjermani, kurse vitet e fundit ka punuar si komentator i ndeshjeve të futbollit. Ngjashëm sikurse Hoenessi, edhe Rummenigge është pjesë e Bayernit për një periudhë të gjatë. Ai bavarezëve iu bashkua në vitin 1974 si lojtar, ku shijoi një dekadë të suksesshme përpara se të bëhet nënkryetar i klubit prej vitit 1991.