Nëse Lionel Messi “dëgjon” Real Betisin dhe mungon edhe në ndeshjen e fundjavës, atëherë Barcelona duhet të mbështetet te Antoine Griezmann që të marrë pikët e para të stinorit në La Liga.
Betisi, që të dielën do të jetë mysafir i Barcelonës në “Camp Nou', reagoi ndaj një postimi në Twitter të Barcelonës se Messi është kthyer në stërvitje me skuadrën për herë të parë që nga lëndimi që mori në fazën para-sezonale, shkruan AP, transmeton “Koha Ditore”.
“Mos nxito, Leo. Nuk ke pse e sforcon veten!” ishte reagimi i Betisit.
Barcelona nuk arriti të përballonte mungesën e Messit fundjavën e kaluar, kur sulmi i saj nuk gjeti golin, ndërsa u mposht 1:0 si mysafire e Athletic Bilbaos.
Ishte hera e parë në një dekadë që Barcelona, kampionia e Spanjës në dy stinorët e fundit, humbi ndeshjen hapëse të stinorit në La Liga. Dhe pasi që Real Madridi e Atletico Madridi triumfuan, presioni është te Barça.
Barcelona ka sjellë Griezmannin nga Atletico këtë verë për 120 milionë euro, sa ishte klauzola për lirim në kontratën e francezit me Atleticon. Sulmuesi francez ishte paraparë si pjesa e katërt e një sulmi të klasit botëror ku gjenden Messi, Luis Suarez e Ousmane Dembele. Por Griezmannit mund t'i lihet tash e gjithë përgjegjësia e shënimit të golave në debutimin e tij zyrtar në “Camp Nou”.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)