Sport

18 vjeçari shqiptar mes mjeshtërve të bilardos, triumfon në “Aramith Masters”

Një 18-vjeçar nga Shqipëria mes mjeshtërve më të mëdhenj të bilardos.

Quhet Klenti Kaci dhe ka aftësi dhe një talent të jashtëzakonshëm për një 18-vjeçar, që i lejuan të fitonte dhe Kampionatin Masters të Aramith në New York, me Klentin që arriti të mposhtë në finale filipinasin Carlo Biado me rezultatin e pastër 2-0, transmeton Supersport.

Përveç triumfit në këtë turne prestigjioz, Klenti ka tërhequr dhe vëmendjen e mediave amerikane për talentin e tij dhe për moshën e re, teksa e konsiderojnë një të ardhme të sigurt në të sport.

Në një prej shkrimeve dedikuar pikërisht Klentit lexohet se djaloshi, që luan rregullisht në Euro Tour, prej 8 muajsh gjendet në SHBA ku ka zhvilluar një sërë sfidash për të fituar më tepër përvojë.

Suksesi i arritur prej tij në Aramith Masters Championship, që është një turne i vlefshëm për World Pool Series ishte një pasqyrim i aftësive të 18 vjeçarit shqiptar, aq sa shumë komentator lojën e tij në finale me Biadon e cilësuan si atë të një veterani duke shfaqur një pjekuri të madhe.

Suksesi në Mastersin e Aramith i siguroi Klentit dhe çekun prej 12 mijë dollarësh për vendin e parë por mbi të gjitha një vend mes mjeshtërve të bilardos botërore.