Sport

Një fitore ndaj Luksemburgut, maksimumi i Kosovës

Descriptive Text

Humbja befasuese në udhëtim nga Luksemburgu ka bërë që përfaqësuesja e Kosovës në basketboll të mos ia dalë të përfshihet seriozisht në garë për pozitën e parë në grup, në raundin e tretë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2021”.

Dhe ashtu si pritej, Britania e Madhe ka fituar grupin dhe kështu do të vazhdojë garimin në kualifikimet e rregullta për kampionatin evropian të vitit 2021, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kosova ka nisur raundin e tretë të kualifikimeve me humbje befasuese, ndërsa ka përfunduar me humbje të thellë. Të shtunën në Manchester, Kosova pësoi nga Britania e Madhe me shifrat 101:79. Kosova ka përmbyllur këtë cikël me bilanc prej tri humbje e një fitore, bilanc me të cilin as për së afërmi nuk ka rivalizuar Britaninë e Madhe për pozitën e parë në grup.

Para se të niste ky cikël, Kosova pritej që të fitonte pa telashe ndaj Luksemburgut dhe të rivalizonte fuqishëm Britaninë për vendin e parë në grup. Por lëndimi i Lis Shoshit dhe fondi shumë i limituar i lojtarëve ka bërë që Kosova të ketë vështirësi të mëdha. Në ndeshjen e parë të luajtur më 3 gusht në Luksemburg te Kosova nuk funksionoi thuajse asgjë dhe ndeshja u humb me shifrat 88:80. Pati më pas deklarata optimiste nga kampi kosovar, por jo edhe reagim në përputhje me to.

Më 7 gusht në Mitrovicë, Kosova pësoi edhe humbjen e dytë. Britania e Madhe, ndonëse jo në formën më të mirë, fitoi me shifrat 71:63. Pati përpjekje nga basketbollistët kosovarë, por jo edhe nivel të mjaftueshëm për të fituar sfidën.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)