Sport

Pasi humbi rastin e madh në Minsk, Distria kërkon shkëlqimin në Tokio

Pak kundërshtare e kanë ndalur Distria Krasniqin këtë vit. Xhudistja 23-vjeçare ka shfaqur formë të lartë në garat në të cilat është paraqitur në vitin 2019, njëjtë si në vitin 2018. Këtë vit ka fituar medalje me peshë në Paris, Antalya e Budapest. Por po ashtu ka lëshuar një rast të madh për karrierën e saj.

Në Lojërat Evropiane që u mbajtën në Minsk të Bjellorusisë në fund të qershorit, Distria vlerësohej prej pretendenteve kryesore për medalje në kategorinë deri 48 kilogramë. Por pati telashe me peshë, si disa herë në karrierën e saj, shkruan sot “Koha Ditore”.

Një natë para garës, kur në program ishte matja zyrtare, Distria nuk arriti peshën 48 kilogramë. Kishte pak më tepër peshë. Kështu humbi garën dhe pati dëshpërim te ajo për rastin e madh të lëshuar. Distria nuk është deklaruar për atë garë të lëshuar dhe shpejt është kthyer në ritmin e zakonshëm.

Ka vazhduar me punë të madhe në stërvitje, e vetëdijshme se nuk ka kohë për të humbur dhe se gara të tjera të rëndësishme e presin në karrierë. U kthye në gara në Grand Prix të Budapestit, më 12 korrik. Shkoi deri në finale ku u ndal nga japonezja Funa Tonaki.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)