Sport

UEFA shtyn diskutimet me klubet për të ardhmen e garave evropiane

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin ka shtyrë një takim me krerët e klubeve evropiane dhe ligave ku pritej të vendosej për formatin e ardhshëm të garave evropiane, përfshirë Ligën e Kampionëve.

“Associated Press” ka siguruar letrat e dërguara të enjten në mëngjes nga Çeferin për krerët e Shoqatës së Klubeve në Evropë dhe Ligave të Evropës duke anuluar diskutimet e parapara për 11 shtator.

Çeferin shkruan se bisedimet do të riorganizohen “atëherë kur mendoj se jemi të gatshëm për diskutim kuptimplotë”.

Ka pasur mosmarrëveshje mes klubeve lidere dhe ligave vendore që kur një koncept u prezantua më herët gjatë vitit në të cilin Liga e Kampionëve parashihej të zgjerohej.

Po ashtu ka pasur ndarje edhe brenda Shoqatës së Klubeve, që udhëhiqet nga Andrea Agnelli.

Çeferin i kishte shkruar Agnellit dhe presidentit të organizatës së Ligave të Evropës, Lars-Christer Olsson, për t’u thënë se “UEFA akoma është duke mbledhur reagimet nga federatat anëtare”.

Ai kishte shtuar se duhen diskutime shtesë për të analizuar reagimet dhe propozimet nga të gjitha palët. Çeferin kishte shtuar se UEFA “s’është për ngut” sepse nuk pret që të vendoset për formatin e tillë sivjet.