Paul Pogba ka nevojë për pak më shumë dashuri për të shkëlqyer te Manchester Unitedi, sipas ish-yllit të kësaj skuadre, Patrice Evra.
Fituesi i Kupës së Botës me Francën, Paul Pogba, kërkohet me ngulm nga Real Madridi i Zinedine Zidanet.
Megjithatë, Ole Gunnar Solskjaer insiston se nuk ka asnjë dyshim se lojtari do të qëndrojë në “Old Trafford”, pavarësisht se raportohet se mesfushori gjithashtu është duke insistuar që të transferohet në “Santiago Bernabeu”, transmeton KP.
Sido që të jetë, tani Evra thotë se për të dhënë më të mirën me fanellën e Unitedit, Pogba ka nevojë për më shumë mbështetje nga të gjithë, teksa nuk di asgjë se çfarë do të ndodhë me të.
“Nuk e di të ardhmen e Pogbas”, tha Evra për Daily Mail. “Ajo çka di është se në Juventus është ndier shumë i dashur, i rëndësishëm. Ai nuk e ndjen atë dashuri edhe në Manchester”.
Ai insiston se duhet të çmohet kur Pogba bën paraqitje të mirë.
“Gjithmonë harrojmë se çfarë lojtari është. Lojtarët vlerësohen në bazë të paraqitjeve në fushë. Vrisni atë nëse nuk luan mirë, por kur luan mirë duhet të koncentroheni në atë”, iu drejtua Evra gazetarit. “Kur ju blini vetura luksoze dhe shtëpi të mëdha, do të krijoni urrejtje dhe xhelozi kështu që duhet të bëni hap para në lojën tuaj dhe të siguroheni që të mos ndikojë kjo te ju”.
“Çfarë mund t’i them Pogbas: bëj çfarëdo që dëshiron, por nëse e sheh se ajo gjë po ndikon në lojën tënde, ndalu. Mos tento të jesh luftëtar, ndalo”, u shpreh Evra.
Pogba e mbylli sezonin 2018/19 me 16 gola dhe 11 asiste në 47 paraqitje, por jo mjaftueshëm për tifozët e “Djajve të Kuq” që vazhdimisht e kanë kritikuar