Sport

Berisha pret edicion të mirë me SPAL-in

Portieri i Kombëtares së Shqipërisë, Etrit Berisha, është i bindur se ekipi i SPAL-it nuk do të ketë problem për të siguruar mbijetesën për edicionin e tretë rresht në Serie A.

Madje, në një intervistë për mediumet italiane të enjten, Berisha ka thënë se edicioni i ri pret të jetë më i suksesshëm për SPAL-in sesa dy edicionet e fundit, ku përfundoi në pozitat 13 dhe 17, shkruan sot “Koha Ditore”.

Portieri 30-vjeçar, muajin e shkuar iu bashkua SPAL-it nga Atalanta në formë huazimi njëvjeçar, por me të drejtën e blerjes për tre milionë euro. Berisha thotë se do të jetë i gatshëm për edicionin e ri që nis në fund të këtij muaji.

“Kam kaluar tre vjet shumë të bukura tek Atalanta, kemi arritur gjëra të mëdha, të cilat nuk do t'i harroj kurrë. Tash dua të jap kontributin tim te SPAL-i, me të cilin ekip pres të kemi një edicion më të mirë sesa në dy vjetët e fundit”, është shprehur Berisha të enjten për “Tuttomercatoweb”. “Të gjithë po punojmë me vullnet të madh dhe kemi besim në paraqitje të mira në Serie A, ndonëse nuk do të jetë lehtë, pasi ekipet në përgjithësi janë përforcuar”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)