Sport

Feronikeli i gatshëm të shfrytëzojë mundësinë e artë

Trajneri i Feronikelit, Zekirija Ramadani, nuk ka premtuar fitore e as lojë të bukur, thjesht ka premtuar angazhim të lojtarëve sa për të kaluar raundin e parë eliminator të Ligës së Kampionëve.

Kampioni i Kosovës, të martën (sot, 20:45), në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë, pret kampionin e Uellsit, The New Saints në ndeshjen kthyese të këtij raundi. Ndeshja e parë u mbyll 2:2 dhe kjo besohet se i jep më shumë gjasa ekipit kosovar, pasi pos fitores i mjaftojnë edhe dy barazime për të shkuar tutje, 0:0 dhe 1:1.

Në rast se arrin të kualifikohet në raundin e dytë, aty ku deri më tash nuk ka luajtur asnjë skuadër kosovare, atëherë Nikli do të përballet me kampionin e Danimarkës, Copenhagen, shkruan sot Koha Ditore.

"Feronikeli do të luajë vetëm për ta kaluar raundin e parë eliminator, nuk do të kërkojë fitoren e as nuk do të mundohemi të luajmë lojë të bukur dhe pastaj të eliminohemi. TNS-ja, nuk ka çfarë të humbë, kurse ne kemi të dy rezultatet në favorin tonë. Neve na intereson vetëm kualifikimi në raundin e dytë", ka insistuar trajneri Ramadani, në konferencën për media të hënën.

Ai ka insistuar se Feronikeli ka kualitet dhe mund ta bëjë hapin e madh në ndeshjen e kthimit, duke vazhduar tutje në Ligën e Kampionëve pas barazimit në ndeshjen e parë. Feronikeli ndodhet në një situatë të mirë para ndeshjes kthyese, pasi në ndeshjen e parë në pesë minutat e fundit shënoi dy gola për të barazuar shifrat në 2:2.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)