Sport

Griezmanni synon trofe me Barcelonën

Barcelona e ka prezantuar sulmuesin Antoine Griezmann në “Camp Nou” pasi e bëri zyrtar lajmin për blerjen e tij prej 120 milionë eurosh, dy ditë më parë.

Francezi 28-vjeçar, e sheh Barcelonën si mundësi për t’u përmirësuar edhe më shumë si futbollist.

“Është një sfidë e re. Do të provoj të përmirësohem. Nuk mund të ndihem i relaksuar, por duhet të luftoj për një vend që të jem në ekipin titullar, të jem lojtar i rëndësishëm në një klub të madh. Dua ta fitoj La Ligën, Kupën dhe Ligën e Kampionëve, pasi këto trofe më mungojnë”, ka thënë Griezmann, transmeton “Sporti në KTV”.

Barça provoi ta trasnferojë Griezmannin në “Camp Nou” qysh në nëntor të vitit 2017, por sulmuesi nënshkroi kontratë 5-vjeçare me Atletico Madrid në qershor të vitit 2018.

Reprezentuesi i Francës shënoi 133 gola në të gjitha garat me fanellën e Atleticos dhe me Barcelonën ka nënshkruar kontratë 5-vjeçare me klauzolën e lirimit prej 800 milionë eurosh.