Sport

174 të lënduar dhe 68 të arrestuar në trazirat e shkaktuara në finalen e Championsit

Janë shfaqur video shokuese të një tifozi nëntëvjeçar duke qarë në rrugët e Parisit, pasi u godit nga gazi lotsjellës i hedhur nga Policia franceze, pas ndeshjes finale të Ligës së Kampionëve, të shtunën mbrëma.

Tifozi i Liverpoolit, Carl Clemente, ka postuar videon në “Twitter”, ku shihet djali i tij i vogël duke qarë, teksa përpiqej me dëshpërim t’i fshinte lotët që i rridhnin nga sytë pas sulmit, ka shkruar “Daily Mail”.

“Djali im 9-vjeçar vuan pasojat e gazit lotsjellës pas ndeshjes, pas ndeshjes së futbollit”, ka shkruar Clemente.

“Policia i hidhte ato për qejf. U godita direkt. Është kaq toksike. Nuk është vend për fëmijë. Futbolli ka mbaruar”, ka shkruar tutje ai.

Policia franceze ka thënë se 68 persona janë arrestuar dhe 174 janë lënduar në skenat kaotike para, gjatë dhe pas ndeshjes finale të Ligës së Kampionëve në mes të Liverpoolit dhe Real Madridit.

Sipas “Daily Mail”, policët francezë të trazirave kanë hedhur gazin e dëmshëm lotsjellës dhe kanë rrahur me shkopinj tifozët e Liverpoolit.

Nuk është bërë i ditur nacionaliteti i të arrestuarve apo arsyeja për arrestim. Por, burime kanë bërë të ditur se ata që kërkuan ndihmë mjekësore ishin kryesisht tifozë që vuanin pasojat e gazit lotsjellës. Një lokal me rreth 500 tifozë të futbollit, po ashtu, u kontrollua nga policia që u zbraz.

Ministri i Punëve të Brendshme të Francës, Gerald Darmian, ka thënë se kaosi është shkaktuar kur tifozët pa bileta kanë tentuar të hyjnë në “Stade de France” për të parë Liverpoolin duke luajtur me Real Madridin. Ai ka falënderuar Policinë franceze për reagimin.

“Qindra tifozë britanike pa bileta apo me bileta false kanë tentuar të hynin me dhunë në stadium dhe në disa raste sulmuan rojet. Falënderime për forcat e mobilizuara të policisë që ishin në këtë ngjarje të vështirë”, ka shkruar ai.

Por video të shumta janë shfaqur që tregojnë policinë e trazirave duke hedhur gaz lotsjellës te tifozët e qetë, duke përfshirë gra e fëmijë. Ata prisnin të qetë para hyrjes së stadiumit.

Pamjet u shfaqën pas atyre në “Place de la Nation” në Parisin lindor, ku policët që nxitonin drejt bareve brutalizonin tifozët duke i goditur me shkopinj.

UEFA ka lëshuar komunikatë për të arsyetuar shtyrjen e fillimit të lojës, ndërsa Liverpooli ka kërkuar hetime për të zbuluar pse tifozët u përballën me situatën e pakëndshme. Ndërkohë rrjetet sociale janë mbushur me video e pamje që akuzojnë Policinë franceze për sjelljen e tyre. Ka pasur edhe pamje të shikuesve duke kaluar rrethojat.