23:00

Argjentina me Messin e “skuqur” zë vendin e tretë në Copa America

Skuadra e Lionel Scalonit u desh të luajë pjesën më të madhe të ndeshjes pa fenomenin Lionel Messi në ndeshjen kundër Kilit për vendin e tretë në Copa America.

Kjo pasi Messi u ndëshkua me të kuq në minutën e 37-të pas një përleshjeje që pati me Gary Medelin e Kilit, i cili po ashtu u përjashtua nga loja. Kjo bëri që dy skuadrat të mbesin pa kapitenët e tyre të parë.

Ndeshja nisi si është më së miri për Argjentinën, e cila kaloi në avantazh qysh në minutën e 12-të përmes Sergio Agueros, ndërsa për të dyfishuar rezultatin u përkujdes Paolo Dybala vetëm 10 minuta më pas.

Por, ndeshja mori kah tjetër kur në luftë për top u kacafytën Messi e Medel, dhe të dy u përjashtuan nga loja.

Pjesa e parë nuk soli ndryshim në rezultat, por rreth 15 minuta me të filluar pjesa e dytë, Arthuro Vidal mori guximin që të gjuajë nga pika e bardhë për të ngushtuar epërsinë e Argjentinës në 2-1.

Ky edhe ishte rezultati përfundimtar i ndeshjes, duke i siguruar kështu Argjentinës së Messit vendin e tretë në këtë garë.

Ndërkaq, Brazili do të përballet me Perunë në finalen që zhvillohet nesër në Rio de Janeiro.

22:25

Messi ndëshkohet me të kuq kundër Kilit

Ndeshja në kuadër të Copa America për vendin e tretë mes Argjentinës dhe Kilit që është duke u zhvilluar në këto momente, po luhet pa atë që konsiderohet lojtari më i mirë në botë.

Ndonëse Argjentina po avancon me rezultat 2-1, skuadra mbeti pa yllin Lionel Messi që u ndëshkua me të kuq (’37) pas një dueli me Gary Medelin e Kilit, i cili po ashtu u ndëshkua me të kuq në minutën e 37-të.

Golat deri më tani janë shënuar nga Aguero (’12) dhe Dybala (’22) për Argjentinën, ndërsa për Kilin ka shënuar bashkëlojtari i Messit tek Barcelona, Arthuro Vidal nga pika e bardhë në minutën e 59-të.