Sezoni i 57-të i Bundesligës gjermane do të nisë ditën e premte më 16 gusht, me duelin ndërmjet Bayern Munichut dhe Hertha Berlinit në ora 20:30, ndërsa nënkampioni Borussia Dortmund do të përballet me Augsburgun një ditë më pas.
Bayerni e fitoi titullin e shtatë rresht me 35 pikë më shumë se vendi i 11-të që mbahej nga Hertha, por “Zonja e Vjetër” gjatë historisë, ka ditur të jetë kundërshtar i vështirë për bavarezët, transmeton KTV.
Berlinezët i bënë probleme kampionit viteve të fundit, dhe në fakt është i vetmi ekip që Bayerni vitin e kaluar nuk i ka shënuar gol në vitin kalendarik 2018-të, duke barazuar 0:0 në Munich, e duke u mposhtur 2:0 në Olympiastadion.
Ajo humbje ishte e para që Bayerni e pësoi gjatë Oktoberfestit.
Nga 29-herë kampioni i Bundesligës këtë sezon janë larguar Arjen Robben dhe Franck Ribery, si dhe mbrojtësit Mats Hummels dhe Rafinha, por janë përforcuar me fituesit e Botërorit, Benjamin Pavard dhe Lucas Hernandez.