Flo Bojaj, sulmuesi kosovar që u zhvillua në Angli e që dëshiron ta mposhtë atë me Kosovën Foto: PA

Flo Bojaj, sulmuesi kosovar që u zhvillua në Angli e që dëshiron ta mposhtë atë me Kosovën

26 June 2019 13:02

Flo (Florent) Bojaj kishte një start të vështirë të jetës, duke u detyruar të ikte nga shtëpia e tij në Kosovë si fëmijë për shkak të luftës por Anglia i ofroi strehën e sigurt familjes së tij.

Bashkë me prindërit, Bojaj udhëtoi për në Britani të Madhe për të ikur nga lufta në vendlindjen e tij, e cila la të vdekur mbi 13,500 persona dhe rezultoi me zhvendosjen e mbi 1 milion qytetarëve, përfshirë edhe familjen Bojaj.

“Për shkak të luftës ne u zhvendosën në Angli si refugjatë. Parimisht, ne po iknim nga vendlindja vetëm për të shpëtuar nga rreziku dhe Anglia ishte një vend me fat për t’u vendosur. Ishte shumë e vështirë ikja nga vendlindja, u futëm në Angli në rimorkion e një kamioni kur nëna ime ishte shtatzënë me vëllanë tim dhe më treguan se sa e vështirë ishte për ta. Është dashur të fshihen në rimorkion e një kamioni për të ikur nga vendi pasi që lufta ishte e tmerrshme dhe bënë çfarë mundën për të ikur”, rrëfen Flo Bojaj për “itv”, transmeton Koha.net.

Çlirimi pas arritjes në Angli për Bojajn pati ndikim edhe afatshkurtër edhe afatgjatë, pasi ishte futbolli ai që i ndihmoi atij të përshtatej në strehën e tij të re.

“Është vendi më i mirë në botë për futboll. Ishte kënaqësi të luaja në park si fëmijë”, tregon ai.

Por, Bojajt iu desh të priste deri në adoleshencë që të luante për një klub profesionist gjë që ishte befasi edhe për vetë sulmuesin.

“Po luaja me kolegët. Po luanim një lojë dhe një agjent erdhi për të parë një lojtar, dhe më pa mua, më kontaktoi dhe më pyeti nëse doja të testohesha. Në fillim shkova për testim në Crystal Palace për tri javë dhe mu ofrua një kontratë gjashtë-mujore por agjenti më tha se më mirë do të ishte që të shkoja në Huddersfield. Shkova atje për një muaj dhe nënshkrova kontratë si bursist. Nga asgjë kalova në bursist brenda një muaji”, rrëfen futbollisti Bojaj.

Edhe pse thotë se ishte ëndërr që të bëhej pjesë e një klubi elitar si Huddersfield, Bojaj pati vështirësi në Yorkshire.

“Natyrisht se nuk ishte e lehtë përshtatja. M’u desh të zhvendosesha në Huddersfield dhe të jetoja në shtëpi me njerëz të panjohur. U mërzita shumë për shtëpinë në fillim. M’u desh t’i tregoja vetes se pse po e bëja këtë; nuk po e bëja krejt për veten time, po e bëja edhe për familjen. Gradualisht, nisi të ndreqej gjithçka, nuk po mërzitesha më dhe nisa të bëja miq. Ia ka vlejtur 100 për qind. Po luaja mirë dhe pas debutimit nisa të bëhesha gjithnjë e më i mirë”, kujton Bojaj fillimet e tij si futbollist në Angli.

Por, ndonëse i priu fati në fillim, jo gjithçka shkoi sipas dëshirës së Bojajt, pasi ai u transferua në fillimisht si i huazuar në Kilmarnock dhe Newport County dhe ku nuk pati shansin për shkëlqim.

Dhe kur u lirua nga Hudderfield pas vetëm 10 paraqitjeve dhe një goli të shënuar, Bojaj ra në liga shumë të ulëta dhe nisi të luante për Welling United, më pas për Walton & Hertsham skuadër kjo amatore.

Derisa po luante për Walton and Hersham, ai ishte spikatur nga një agjent që ia kishte aranzhuar një kalim në skuadrën e ligës superiore të Bullgarisë, FC Pirin, ku ai u bashkua me ish-lojtarin e arsenalit, Conor Henderson, transmeton Koha.net.

Çështja e pagës ishte paksa problematike për Bojajn në klubin bullgar, por ai thotë se ia vlejti kalimi në Bullgari pasi, edhe pse klubi i tij i parë, Pirin, ra nga liga, ai u ble nga klubi tjetër elitar, Etar, ku aktivizohet edhe sot.

Si adoleshent, Bojaj arriti të luante për Kombëtaren U-17 të Shqipërisë, ndonëse nuk kishte fare ekip.

“Ishte e çuditshme se si erdhi deri tek angazhimi im në U-17 të Shqipërisë pasi isha pa skuadër. Por, kjo u bë e mundur për shkak se familje ime njihte dikë që i kishte thënë federatës atje se në Angli është një lojtar që mund t’u pëlqejë, dhe kështu u stërvita me ta dhe luajta disa lojë”, thotë ai.

Por, në planet e Flo Bojajt më nuk është Shqipëria. Ai ia ka vënë syrin të luajë për vendlindjen e tij, Kosovën, e cila do të përballet me Anglinë në kualifikimet për Euro 2020 gjatë këtij viti.

“Kjo është një prej qëllimeve të mia kryesore, të ftohem nga ta. Është shumë e vështirë. Para pak kohe kam marrë pasaportën e Kosovës dhe agjenti im ka folur me njerëz në federatë pasi edhe ata i kanë shikuar disa prej ndeshjeve të mia. Kanë thënë se do të më vëzhgojnë. Do të luaj për ta një ditë, 100 për qind. Kur pash grupin, u trondita. Shpresoja të isha duke luajtur për ta, pasi do të ishte mirë të luaja në Wembley, dhe atë kundër Anglisë”, ka thënë Bojaj në këtë bisedë.

Bojaj ka thënë se nuk i frikësohet angazhimit në liga të ndryshme, por kthimi i tij në Angli për të përfaqësuar Kosovën në ndeshjen e shtatorit në stadiumin “St Mary's” do të ishte një rrotullim jetësor.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme