Ai erdhi nga rrugët, nga asgjëja. Pasi babai i tij e braktisi në moshën pesëvjeçare, boksieri i madh Roberto Duran u detyrua të fillonte të fitonte para duke lustruar këpucët në vend që të shkonte në shkollë.
Të gjitha paratë e fituara, ai ia jepte së ëmës dhe familjes së tij, pasi ata kishin më shumë nevojë sesa Roberto. “Mbijetesa dhe dhimbja mund të jenë motivues të mëdhenj”, tha Mat Hodgson, regjisori i dokumentarit për Duranin, që erdhi nga rrugët e Panamasë për t’u shndërruar në boksierin më të egër të të gjitha kohërave, shkruan sot Koha Ditore.
“Boksi i është përshtatur Robertos, duke pasur parasysh edhe rrethanat nëpër të cilat është rritur”. Në biografinë e tij, të lansuar në vitin 2016, Duran kishte shkruar disa fjalë për veten dhe futjen në botën e boksit.
“Pas fëmijërisë që kisha, nuk kishte njeri që i frikësohesha. Kampionët e boksit kurrë nuk vijnë nga lagjet e pasura, por nga ato të varfra. Ky është ligji i Perëndisë”, ishin fjalët e Duranit në fillim të autobiografisë. Dokumentari “I Am Duran” ndjek rrugën e karrierës së boksierit nga Panamaja në shekullin XX, të gjitha ngritjet dhe uljet e tij, si dhe momentin prej të cilit kurrë nuk arriti të ikte.
Pothuajse 40 vjet më parë, ai u ndesh me djalin e artë të SHBA-së, Sugar Ray Leonardin në New Orleans. Duran u poshtërua. Ky meç përfundoi me Duranin që u dorëzua me fjalët “nuk dua më” në gjuhën spanjolle “no mas”.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)