Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

17 lojtarët që mund të mungojnë në Botëror

Kanë mbetur vetëm edhe dy muaj që trajnerët e përfaqësueseve t’i dërgojnë listat e lojtarëve që do të jenë pjesë e Kupës së Botës, ndërsa mund të mungojë një numër i madh i yjeve.

Brazili që shkon në Rusi si favorit për të triumfuar, mund të udhëtojë pa David Luizin, i cili e ka humbur vendin te Chelsea, njësoj si Danilo te Manchester City. Në dyshim për të munguar është edhe Neymari, për shkak të lëndimit që ka pësuar, transmeton Sporti në KTV.

Tjetër përfaqësuese e madhe e futbollit, Gjermania, në Rusi mund të shkojë pa gjigantin e portës, Manuel Neuer. Shkuarjen në Botëror nuk e kanë të sigurt as Gotze, Reus dhe Weigl.

Një numër shumë i madh i futbollistëve të njohur mund të mungojnë në listën e Sampaolit nëse ai nuk e ka të qartë se cili do të jetë formacioni më i mirë. Në listën e fundit, nuk u përfshinë Dybala, Icardi, Pastore e Rulli.

Pritshmëri të mëdha për suksese në Botëror ka edhe Anglia. Mund të mungojnë Cahill dhe Sturridge, ndërsa edhe Kane është në dyshim për shkak të lëndimeve.

Te kampioni evropian, Portugalia, që udhëhiqet nga Cristiano Ronaldo, mund të udhëtojë atje pa Nanin, Ederin, Pepen apo Renato Sanchesin, kurse Suedia që e eliminoi Italinë, në ekip nuk dihet nëse do ta ketë Ibrahimoviqin, që do të vendosë vetë për të ardhmen e tij.