Sport

Matthaus e vlerëson lart Kosovën, synon të sjellë edhe ndonjë projekt

Foto: Driton Paçarada / KD

Legjenda e futbollit të Gjermanisë, Lothar Matthaus, e ka vizituar për herë të parë Kosovën.

Vizitën e tij disaorëshe në Prishtinë e ka mundësuar kompania “Teleperfomanca” me seli në Prishtinë, në bashkëpunim me “Sky Gjermania”.

Ish-futbollisti i Kombëtares së Gjermanisë, në një konferencë për media, tha se për Kosovën ka dëgjuar gjëra të mira.

“Për herë të parë jam në Prishtinë. Kam dëgjuar shumë gjëra të mira për këtë vend. Jam i lumtur që do t’i kaloj disa orë në Prishtinë. Jam pjesë e Sky-it dhe për mua është si një familje. Kam ardhur në Prishtinë për t’i motivuar të rinjtë, ashtu siç kanë bërë trajnerët me mua sa kam qenë lojtar. E pash një entuziazëm të madh jashtë”, u shpreh Matthaus.

Ish-futbollisti i skuadrës gjermane Bayern Muenchen, Interit dhe disa skuadrave tjera, pas largimit të Albert Bunjakit, ishte një nga emrat për stolin e Kosovës. Por, ai ka theksuar se nuk ka biseduar asnjëherë me të ndjerin Fadil Vokrri.

“Unë nuk kam pasur biseda me Fadil Vokrrin dhe nuk e di nga është dhënë si informatë dhe nuk janë të vërteta lajmet që unë kam qenë kandidat për ta udhëhequr Kosovën”, u shpreh ai.

Matthaus ka folur edhe për rezultatet pozitive të Kombëtares së Kosovës. Ai ka shtuar se, “Dardanët” kanë një të ardhme të ndritur.

“Kosova e ka fituar një pikë kundër Malit të Zi dhe tri pikë ndaj Bullgarisë, gjë që është sukses, por kundër Anglisë do ta ketë vështirë. E di që Kosova funksionon si grup dhe mund t’ia dalë të kualifikohet në evropian”, deklaroi legjenda e futbollit gjerman.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që të vijë sërish në Kosovë me ndonjë projekt.

Mattheus edhe pas konferencës ishte i hapur për pyetje shtesë nga gazetarët. Ai ka thënë se i njeh edhe lojtarët kosovarë që kanë luajtur dhe luajnë në Gjermani si Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Milot Rashica, Meritan Shabani dhe disa të tjerë.

“I njoh lojtarët që kanë luajtur apo luajnë në Gjermani. Por, i shoh edhe lojtarët që i ka Kosova dhe ka potencial. Kosova me këta lojtarë do të zhvillohet shumë”, tha ai.

Legjenda Matthaus me Bayern Muenchenin ka fituar shtatë tituj të kampionit, një kupë të UEFA-s, derisa me Gjermaninë një herë ka dalë kampion i Evropës dhe një herë i botës.

Një titull dhe një kupë të UEFA-s e ka fituar si lojtar edhe me Interin. Është fitues i “Topit të Artë” dhe lojtari më i mirë i zgjedhur nga FIFA.

Matthaus vizitoi edhe stadiumin “Fadil Vokrri” ku u prit nga drejtuesit e skuadrës së Prishtinës, ku të pranishëm ishin edhe kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, dhe anëtari i bordit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Bakir Burri.

Matthaus, me një fjalim të shkurtër, iu drejtuar edhe disa lojtarëve të rinj të Shkollës së Futbollit ‘Prishtina’. Ai kërkoi nga futbollistët të vazhdojnë të punojnë për të ndjekur ëndrrën që një ditë të arrijnë majat e futbollit evropian.