Arbëri

Kronikë e KTV-së nga ballafaqimi Thaçi – Vuçiq në Sllovaki

Dialogu mes Kosovës e Serbisë nuk mund të vazhdojë nëse kjo e fundit vazhdon të paraqesë kushte, ka thënë presidenti Hashim Thaçi, gjatë një debati në kuadër të forumit “Globsec 2019”, në Bratislavë të Sllovakisë, raporton KTV .

Në këtë debat, pjesë e të cilit ishin edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe ai i Malit të Zi Millo Gjukanoviq, Thaçi ia ka numëruar një nga një pengesat të cilat gjatë kësaj kohe, Serbia ia ka shkaktuar Kosovës.

E, përkundër insistimit dhe talljes nga ana e presidentit Vuçiq, që homologu i tij të fliste në gjuhën angleze, Thaçi në këtë debat ka vendosur që të flasë në gjuhën shqipe.

“Serbia nuk e ka zbatuar Marrëveshjen për energjinë, integrimin e kufijve, ka ndaluar hapjen e urës në Mitrovicë për ta mundësuar bashkimin e qytetit. Kurse, sa i përket Asociacionit, Prishtina e ka përmbushur pjesërisht sepse ne kemi ekipin që do të merret me statutin e Asociacionit. Ka shumë rëndësi që ne gjithmonë e kemi pasur vullnetin për ta bërë këtë. Por, fatkeqësisht, Lista Serbe nuk i ka lejuar njerëzit të jenë pjesë e procesit të hartimit të Asociacionit. Marrëveshja me Serbinë do të forconte integrimin dhe zhvillimin ekonomik dhe do të kishte një mirëqenie më të mirë”, ka thënë Thaçi.

Por, Vuçiq ka reaguar duke thënë se Serbia ka zbatuar 100 për qind marrëveshjet e arritura në Bruksel, derisa theksoi se Kosova nuk e ka themeluar ende Asociacionin.

Vuçiq, në këtë forum, foli për humbjet milionëshe që iu bënë shtetit të tij nga taksa, derisa theksoi se Serbia është e gatshme për çfarëdo negociate.

“Kudo që shkojmë flitet për ndarje të Kosovës, shkëmbim territoresh apo korrigjim kufiri, por askush nuk pyet nëse ne do të arrihet marrëveshje që do t’i rregullonte raportet mes serbëve dhe shqiptarëve. Kjo nënkupton se rëndësi ka se çfarë ne bëjmë për njerëzit dhe shtetet tjera. Ne duhet të bëjmë diçka për të ardhmen tonë. Jam i interesuar për ata miliona që u takojnë popullit serb, prandaj jam i etur për ta fituar atë shumë që populli ynë e meriton, kaq. Vetëm hiqni dorë nga tarifat dhe ne do të vazhdojmë me çfarëdolloj negociate që dëshironi”, u shpreh Vuçiq.

Pas këtij debati, presidenti tha se është kërkuar nga Serbia që të krijojë mundësi për të mos penguar serbët në veri, për të funksionalizuar çështjen e urës në qytetin e ndarë dhe njerëzit, ndërsa nga Kosova, t’i kryejë të gjitha obligimet që i ka nënshkruar në vitin 2013.

Në margjinat e forumit, presidenti ka takuar diplomatin amerikan Philip Reeker, me të cilin bisedoi për vazhdimin e dialogut

Thaçi ka theksuar se angazhimi amerikan në këtë proces është garanci për Kosovën.