Kampionët e Francës, Paris St Germain, përfunduan sezonin e tyre në Ligue 1 me humbje prej 3-1 në Stade de Reims të premten teksa gardiani i portës së tyre, Gianluigi Buffon, ishte shumë larg formës së tij më të mirë.
Buffon nisi në vend të Alphonse Areolas dhe bëri disa pritje të mira të gjuajtjeve të shpeshta të Reimsit, por veterani italian s’ia doli t’u bënte ballë, raporton Reuters.
PSG u ndëshkua përmes një kundërsulmi në minutën e 36-të kur Abdul Rahman Baba gjeti rrjetën me nj goditje nga anash që depërtoi mes këmbëve të Buffonit.
Mathieu Cafaro dyfishoi epërsinë e Reimsit në minutën e 56-të me një goditje të fuqishme që e zuri Buffonin në befasi, transmeton Koha.net.
Kylian Mbappe, të cilit i duheshin katër gola për të arritur rekordin e Lionel Messit prej 36 golave për Barcelonën këtë sezon, ishte i parrezikshëm derisa më në fund u ngjall dhe ngushtoi epërsinë tre minuta pas pësimit të golit të dytë.
Ishte ky goli i 33-të i Mbappes në Ligue 1 këtë sezon, shifër kjo më e larta nga një francez në ligën superiore franceze që kur Philippe Gondet shënoi 36 herë për Nantesin më 1966.
Megjithatë, për rezultatin përfundimtar të ndeshjes u përkujdes Pablo Chavarria, i cili shënoi golin e tretë për Reimsin në minutat shtesë.
PSG përfundoi sezonin me 91 pikë ndërsa Reims me 55 në vendin e tetë.
Vlen të theksohet se në këtë ndeshje, përfaqësuesi i Kosovës, Arbër Zeneli, u paraqit në pjesën e dytë dhe pati një paraqitje mjaft të mirë.