Sport

Muminoviq e bronztë në Poloni

Xhudistja Erza Muminoviq ka arritur të rrëmbejë medaljen e bronztë në Kupën Evropiane për Kadet “Bielsko Biala” në Poloni.

Në luftë për të bronztën ajo e mposhti hungarezen Rebeka Koszegi në kategorinë 48 kilogramë, transmeton Koha.net.

E kësaj fitore i është gëzuar trajneri i mirënjohur, Driton Kuka, i cili thotë se ishte japonezja, Hikari Yoshioka ajo që e ndali drejt të artës.

“Fiks 6 luftëra të forta, prej tyre 5 fitore ju deshën për medalje. E pësoi nga japonezja e cila e ndali drejt të artës. Performanca e Erzës po ngritët dhe besojmë që në Evropian muajin e ardhshëm si dhe në Lojërat Evropiane për të rinj do jetë kandidate për medalje”, ka shkruar Kuka.

Ai tutje ka bërë të ditur se nesër garon Fatjona Kasapi në 57 kilogramë dhe sipas Kukës, “nëse e jep maksimumin realisht ka gjasa të kthehet me medalje. Përndryshe Erza Muminoviqi është sportistja e parë dhe e vetme e shtetit tonë me Medalje Olimpike për të reja të fituar vitin e kaluar në Buenos Aires”.