Sport

​Valverde: Liverpooli nuk vjen për t’u mbrojtur, duhet të kemi kujdes

Trajneri i Barcelonës ka paralajmëruar lojtarët e tij për rreziqet që i kanosen nga sulmuesit e Liverpoolit.

Një finale para finales mund të konsiderohet përballja mes Barcelonës dhe Liverpoolit, të cilat për shkak të shortit do të ballafaqohen në gjysmëfinalet e këtij edicioni të Ligës së Kampionëve.

Në prag të sfidës së nesërme që luhet në Camp Nou, trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde ka folur para gazetarëve.

Sipas tij ndeshjet me Liverpoolin do të jenë të një niveli të lartë, ku të dyja skuadrat kanë cilësitë e duhura për të prekur finalen e madhe.

“Nuk e di nëse jemi dy ekipet më në formë në Evropë, por natyrisht se pasi luajmë në gjysmëfinale, tregon që kemi bërë mirë, si ne po ashtu edhe ata”, theksoi fillimisht Valverde.

“Liverpooli është ende në garë për titullin e Premier Ligës, derisa ne e kemi fituar atë në ligën tonë”.

“Do të kemi një ekip shumë të fortë, që ka sulmues shumë të rrezikshëm, por edhe një trajner ekspert”.

“Ata nuk do të vijnë në Camp Nou për t’u mbrojtur, prandaj ne duhet të jemi të kujdesshëm edhe në mbrojtje pasi sulmuesit e tyre mund të na dënojnë në çdo moment”, theksoi ai.

Si Barcelona ashtu edhe Liverpooli numërojnë nga pesë trofe të fituar të Ligës së Kampionëve dhe këtë vit synojnë ta fitojnë të gjashtin.