Sport

Të moshuarit e artë

Mund të mos jetë shumë i njohur, por futbollisti veteran Isaak Hayik është futur javën e kaluar në Librin e Rekordeve të Guinnessit dhe ka pak gjasa që kjo arritje të tejkalohet në një të ardhme të afërt. 

Portieri 73-vjeçar startoi për skuadrën izraelite Yehuda FC në ndeshje kundër Maccabi Ramat Ganin dhe u bë më i vjetri që ka luajtur në një ndeshje profesioniste garuese në futboll, shkruan sot Koha Ditore.

Ndonëse skuadra e tij pësoi 5:1, arritja e Hayikut u njoh përmes një ceremonie të organizuar pas ndeshjes, ku ishin prezent përfaqësuesit e Librit të Rekordeve të Guinnessit. “Ky nuk është vetëm burim krenarie për mua, por për gjithë sportin e Izraelit. Unë jam i gatshëm për një ndeshje tjetër”, tha 73-vjeçari. 

Rekordi më herët mbahej nga Robert Carmona i Uruguait, që kishte luajtur në vitin 2015 në një ndeshje profesioniste me Pan de Azucar në moshën 53-vjeçare. Hayik i është bashkuar një liste të shquar të veteranëve të futbollit, në të cilën ka emra të mëdhenj.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)