Sport

Holanda shtyn komplet një xhiro për të ndihmuar Ajaxin

Të gjitha ndeshjet e xhiros së 32-të në “Eredivisie” që është dashur të zhvilloheshin pak ditë para duelit të Ajaxit me Tottenhamin në kuadër të gjysmëfinales së parë të Ligës së Kampionëve, janë shtyrë me vendim të Federatës së Futbollit të Holandës.

Ajaxi fundjavën e ardhshme, më 28 prill, është dashur të përballet me De Graafschapin në kuadër të kampionatit holandez kurse dy ditë më vonë do të duhej të luante ndeshjen e parë gjysmëfinale në Londër kundër Tottenhamit. Në mënyrë që Ajaxi të ketë më shumë kohë për t'u përgatitur për këtë përballje dhe të jetë më i pushuar, federata holandeze ka shtyrë komplet këtë xhiro, e cila do të zhvillohet më 15 maj.

Vendimi për ta shtyrë xhiron është bërë në mënyrë që të ruhet integriteti i ligës dhe gjithashtu Ajaxit t'i jepet mundësia të vazhdojë me rezultate të mira në Ligën e Kampionëve. Ajaxi këtë edicion në garën elitare të Evropës është befasia më e madhe, pasi për t'u futur në mesin e katër skuadrave më të mira ka eliminuar favoritët si Real Madridin dhe Juventusin.

“Kemi shikuar të gjitha mundësitë për ta ndihmuar paksa Ajaxin në Ligën e Kampionëve dhe kjo ishte më e mira. Përpara se të anulojmë xhiron e 32-të, ne planin ua kemi dërguar të gjitha klubeve, të cilat i falënderojmë që janë pajtuar. Ndoshta, kjo shtyrje nuk iu shkon për shtati të gjitha skuadrave, por do t'i ndihmojë shumë Ajaxit që të vazhdojë rrugëtimin në Champions”, thuhet në njoftimin e federatës holandeze të premten, transmeton “Koha Ditore”. “Nëse Ajaxi vazhdon të jetë i suksesshëm në Ligën e Kampionëve, atëherë do ta ndihmojë edhe futbollin e Holandës në përgjithësi. Ky sukses do të jetë i përgjithshëm”.

Kjo është hera e parë që një ligë evropiane shtyn komplet xhiron për ta ndihmuar një ekip. Ajaxi këtë edicion po lufton në tri fronte dhe po synon t'i japë fund pritjes pesëvjeçare për një trofe. Krahas Ligës së Kampionëve, Ajaxi është kualifikuar edhe në finalen e Kupës së Holandës, derisa në kampionat ndan pozitën e parë me PSV Eindhovenin, pasi kanë nga 74 pikë.

“Nëse nuk do ta shtynim komplet xhiron, atëherë Ajaxit do t'i duhej të zhvillonte dy ndeshje brenda tri ditëve dhe kjo do të ishte e pamundur. Nuk kishim opsione tjera veçse të veprojmë në këtë mënyrë”, ka shtuar zëdhënësi i Federatës holandeze Jaap Paulsen. “Ky pushim do t'u mundësojë edhe ekipeve tjera të kampionatit tonë që të përgatitem më mirë për pjesën finale të edicionit. Duke ndihmuar Ajaxin, kemi ndihmuar edhe skuadrat e tjera njëkohësisht. Edhe në të ardhmen do të veprojmë në të njëjtën mënyrë, nëse ndonjë ekip holandez do të arrijë një sukses të tillë në Ligën e Kampionëve apo Ligën e Evropës”.