Sport

Kupa, shpëtimi i sezonit

Gani Sejdiu do të debutojë si trajner i Ballkanit në ndeshjen që mund të jetë pikë kthese në rrugëtimin e kësaj skuadre.

Ballkani e pret të mërkurën (15:00) në Suharekë Feronikelin, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll. Një fitore eventuale dhe një rezultat i mirë në ndeshjen e kthimit mund ta çojnë Ballkanin në finale dhe të ëndërrojë garat evropiane, shkruan sot Koha Ditore.

Por deri atëherë ka kohë. Sejdiu ka punë për të bërë dhe e para që duhet të bëjë është të kalojë Feronikelin, liderin e Superligës.

Ai është trajneri i tretë te Ballkani këtë edicion, pasi ekipi më herët është drejtuar edhe nga Bekim Shotani e së fundi nga Sami Sermaxhaj.

Sejdiu thotë se do të ishte mirë që punën te Ballkani ta nisë me rezultat pozitiv, por thotë se nuk do të jetë lehtë. Ai e njeh mirë edhe Feronikelin, pasi jo shumë kohë më parë e ka drejtuar, madje edhe e ka fituar një titull.

Të mërkurën luhet edhe gjysmëfinalja tjetër, ku Vëllaznimi e pret në Gjakovë Trepçën '89.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)