Sport

Unitedi bëhet gati “ta pastrojë” ekipin

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer kërkon ta ripërtërijë skuadrën për të ardhmen.

Manchester United është gati të largojë deri gjashtë lojtarë në fund të sezonit, pasi trajneri Ole Gunnar Solskjaer synon të ndërtojë një ekip të aftë për të konkurruar për titullin e Premier Ligës.

Ndryshimet në skuadër janë të domosdoshme, edhe nëse “Djajtë e Kuq” arrijnë të sigurojnë një vend mes katër skuadrave më të mira angleze.

I pari që nuk bën pjesë në planet e Soskjaer është sulmuesi kilian, Alexis Sanchez. Antonio Valencia gjithashtu duket i sigurt drejt largimit, pas një dekade me Unitedin. Ekuadoriani nuk është aktivizuar më që nga fillimi i janarit.

Matteo Darmian nuk ka vend në formacion, ndaj për të pritet kthimi në Itali. Mbrojtësi 29-vjeçar ka luajtur vetëm gjashtë herë këtë sezon dhe vetëm dy herë nën drejtimin e Solskjaer.

Unitedi gjithashtu dëshiron të largojë edhe njërin mes Marcos Rojos dhe Eric Baillyt, për të liruar në vend në qendër të mbrojtjes.

Ander Herrera dhe Juan Mata janë të dy të vendosur të largohen si lojtarë të lirë nëse nuk arrijnë të bien dakord për kontratat e reja pas 18 muaj negociatash, transmeton kp.

Përveç lojtarëve të sipërpërmendur, pritet të largohen edhe Timothy Fosu-Mensah dhe Axel Tuanzebe, aktualisht të huazuar tek Fulhami dhe Aston Villa.

Pas këtyre largimeve, Djajtë e Kuq do të fillojnë të mendojnë për lojtarët që do të sjellin në skuadër për sezonin tjetër.