Sport

Kryesuesit takohen me ekipet që luftojnë për barazh

Foto: KF Feronikeli

Skuadrat që po luftojnë për titull të kampionit, do te ndeshen me ekipet që po e kërkojnë mbijetesën, në xhiron e 25-të që zhvillohet në mesjavë.

Feronikeli do të kërkojë të harrojë barazimin me Flamurtarin, në duelin ndaj Ballkanit, që vjen pas humbjes nga Prishtina në Suharekë, transmeton KTV.

Nikli në dy duelet e zhvilluara ndaj suharekasve ka dy fitore me rezultat 1:0.

Prishtina që tani ka vetëm tri pikë më pak se Feronikeli, e pret Lirinë në krizë të rezultateve.

Kryeqytetasit në dy takimet e zhvilluara këtë edicion ndaj prizrenasve kanë po aq fitore.

Trajneri i rikthyer te Llapi, Tahir Batitina, do ta kërkojë fitoren e dytë rresht në shtëpi në përballjen me Ferizajn e Bylbyl Sokolit, trajner që u shkarkua nga Llapi gjatë këtij kampionati.

Llapjanët kanë bilanc fantastik ndaj ferizajasve të cilët i kanë mposhtur në dy ndeshjet e zhvilluara këtë sezon.

Kampionia e Kosovës, Drita prite të ketë punë të lehtë në shtëpi ndaj KEK-ut, që është ende pa fitore në Superligë.

Drenica – Gjilani, është një duel tjetër interesant, që i vë përballë dy ekipet që synojnë ti ikin sa më shumë zonës së barazhit.

Të gjitha ndeshjet nisin nga ora 14:00.