Sport

Fidan Aliti i lumtur që u përfshi në 11-shen më të mirë të botës, do të donte fitoren e Kosovës

Mbrojtësi Fidan Aliti ndihet mirë për vlerësimin që i është bërë nga gazeta e njohur franceze “France Football”, duke e përfshirë në mesin e 11 më të mirëve të botës pas ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Evropian të vitit 2020.

Por, Aliti të premten në një intervistë për “Sportit në KTV”, ka thënë se do të ishte më i kënaqur nëse do ta fitonte me Kosovën ndeshjen e parë kualifikuese për “Euro 2020”.

Qendërmbrojtësi insiston se Kosova meritoi pikët e plota ndaj Bullgarisë, që përfundoi me rezultatin 1:1. Ndeshja ndaj bullgarëve ishte e 13-ta për 25-vjeçarin Aliti.

Më 7 qershor, Kosova do ta luajë ndeshjen e dytë kualifikuese kundër Malit të Zi dhe tri ditë më pas ndaj Bullgarisë. Të dyja takimet e vlerësuara nga Aliti si më të rëndësishmet e këtij cikli kualifikues, Kosova do t’i zhvillojë në udhëtim.

Aliti flet edhe për synimet që ka me klubin e Kalmarit në Suedi dhe për hapat e radhës në karrierë.

Mbrojtësi Aliti te Kalmari, u transferua në muajin e kaluar nga Skënderbeu i Korçës dhe ka nënshkruar kontratë deri në fund të vitit 2022.