Sport

Ylli e Rahoveci vazhdojnë garën për pozitën e dytë

Golden Eagle Ylli e Rahoveci kanë fituar kryendeshjet e javës së 23-të për të vazhduar kështu garën mes tyre për pozitën e dytë në Superligën e Kosovës në basketboll. Rahoveci të shtunën e mposhti në Prizren kampionin aktual, Bashkimin me rezultatin 80:76, ndërsa të dielën Golden Eagle Ylli para tifozëve të vet në Suharekë fitoi ndaj Trepçës me rezultat 77:61.

Ylli aktualisht mban vendin e dytë me 39 pikë, ndërsa Rahoveci është i treti me 38 pikë. Pozita e parë tashmë është siguruar nga Z Mobile Prishtina, shkruan sot “Koha Ditore”. Vendi i parë dhe i dytë nuk luajnë në çerekfinale të plejofit dhe kalojnë direkt në fazën gjysmëfinale ku e kanë përparësinë e terrenit vendës. Rahoveci të enjten e pret Golden Eagle Ylli në ndeshjen që mund të jetë vendimtare për vendin e dytë në tabelë.

Ylli të dielën nuk ka pasur telashe për të fituar ndaj Trepçës që po ka vështirësi të arrijë rezultate pozitive në pjesën e dytë të kampionatit. Suharekasit e kanë fituar bindshëm, 23:10, çerekun e parë dhe më pas kanë mbajtur epërsinë konstante deri në fund.

Përforcimi i ri, Bamballe Osby, kishte kontributin më të madh me 14 pikë, 13 kërcime e një asistim. Clayton Everett realizoi 18 pikë, shtatë kërcime e gjashtë asistime, ndërsa pikë dyshifrore kishin edhe Alban Veseli (13), Leonard Mekaj (11) e Garrius Holloman (11). Te Trepça vetëm dy lojtarë patën pikë dyshifrore. Besnik Azemi shënoi 14 pikë, ndërsa Valdrin Haxhiu dhjetë.

Trepça renditet e gjashta me 32 pikë dhe pritet që prej kësaj pozite të startojë në plejof.

Të dielën u luajt edhe ndeshja në mes të Lipjanit e Z Mobile Prishtina. Me rezultat më të ngushtë se që është pritur, 103:91, fitore shënoi Prishtina. Prishtina i ka fituar të gjitha 23 ndeshjet e deritashme dhe prin me 46 pikë. Lipjani është i parafundit me 26 pikë.