Sport

Parajsa për ithtarët e videolojërave: Brenda shtëpisë së parë profesionale të lojës FIFA

Në shikim të parë asgjë nuk duket e jashtëzakonshme në këtë shtëpi në periferi të Londrës.

Perdet e bardha mbulojnë dritaret, kuti të picave gjenden në shportë.

Por nëse shikon nga afër, atëherë do të zbulosh diçka unike. Është shtëpia e një skuadre profesioniste të FIFA-s.

AS Roma Fnatic është rehatuar në këtë adresë në gjashtë muajt e fundit, ku banorët e saj jetojnë, marrin frymë dhe stërviten e garojnë, ndërsa luajnë lojën më të popullarizuar virtuale në futboll, shkruan CNN, transmeton “Koha Ditore”.

Siç tregon emri, skuadra përfaqëson ekipin e Serie A të Italisë, AS Roma, mirëpo mbështetjen kryesore e ka nga superfuqia e “eSports”, Fnatic.

Në vitin 2018, marrëveshja luksoze e partneritetit vendosi ta dërgojë në hapin e radhës drejt profesionalizmit, duke krijuar shtëpinë e parë në botë të lojtarëve të videolojës FIFA.

“Kur ecën drejt shtëpisë, nuk të duket se aty jeton një skuadër e lojtarëve të videolojërave”, ka thënë menaxheri i skuadrës Colin Johnson, që është i sinqertë mjaftueshëm për të pranuar se ka raste kur e prishin qetësinë periferike. “Ne kishim disa fqinjë që na kanë bërtitur disa herë se ishim të zhurmshëm kur festonim, por shumicën e rasteve jemi të qetë”.

Kushtet perfekte

Të gjithë janë të moshës mes 19 dhe 24 vjeç. Në mesin e banorëve të kësaj shtëpie janë tre lojtarë profesionistë, një trajner dhe menaxheri i skuadrës.

Në tri katet e saj, shtëpia ka gjithë renditjen që do të pëlqente një i ri. Dhoma e ndenjës është e ndarë nga kuzhina me një tavolinë të bilardos dhe ka xhakuzi, si dhe oborr të madh.

Mirëpo, në aneksin në fund të oborrit ndodh magjia. Ish-dhoma e lojërave është rinovuar për të krijuar një parajsë për “esports”.

Secili lojtar ka konzolën e vet, me dy monitorë dhe disa dirigjues, që i ndihmojnë ata të stërviten çdo ditë nën urdhrat e trajnerit Enzo Serre.

Serre, 20-vjeçar, beson se kompleksi i tyre u lejon lojtarëve që të kenë përparësi ndaj skuadrave që nuk kanë infrastrukturë të tillë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)