Përzgjedhësi i Danimarkës, Age Hareide, gjatë një konference për media, ka bërë të ditur se të përzgjedhurit e tij janë në top-formë para miqësores me Kosovën nesër në “Fadil Vokrri”, ndërsa përsëriti se kjo do të jetë ndeshje stërvitore për të përzgjedhurit e tij.
Përderisa kolegu i tij i Kosovës, Bernard Challandes foli për rëndësinë që ka ndeshja me një ekip si Danimarka, strategu danez ka treguar arsyen pse kanë zgjedhur të luajnë kundër Kosovën.
“Të gjithë lojtarët tanë janë në top-formë dhe do t’i shfrytëzojmë të gjitha ndërrimet e mundshme dhe do t’i shihni besoj në BBC të gjithë emrat e njohur në fushë... Siç e dini, unë tërë jetën time jam ballafaquar me Jugosllavinë dhe të gjitha ato ekipe që kanë dalë nga ish-Jugosllavia janë të mira dhe natyrisht për Kosovën ekziston mundësia që të kualifikohet për Kampionatin Evropian, dhe ne duam të mësohemi që të luajmë kundër oponentëve të mundshëm në të ardhmen. Dhe, gjithashtu është mirë që të vijmë këtu dhe të luajmë. Kosova është një ekip që dëshiron të luajë futboll dhe do të mundohet”, tha ai.
Ai ka treguar se cilat janë pikat e forta të përfaqësueses së Kosovës.
“Fillimisht (përfaqësuesja e Kosovës) janë kualifikuar në shkallën e lartë në Ligën e Kombeve, kanë sulmues të mirë, kanë lojtarë të mirë, të cilët transferojnë gol shpejt. Dhe, dua të theksoj se unë e kam trajnuar Valon Berishën sa ka qenë te ne, para se ta shesim. Po ashtu, i ka disa sulmues të tjerë të mirë dhe janë disa lojtarë të mirë që luajnë në ekipe të tjera. Thuhet se janë të ri si komb, si shtet dhe e kanë dëshmuar se luajnë mirë”, tha Hareide, transmeton KP.
I pyetur nëse është keqkuptuar deklarata e tij se “ndeshja me Kosovën do të jetë një stërvitje e lehtë”, Hareide tha se kjo është ‘një ndeshje stërvitore’.
Futbollisti i Danimarkës, Thomas Delaney, tha se do ta marrin seriozisht ndeshjen me Kosovën.
“Unë si lojtar, gjithnjë më pëlqen më shumë të luaj sesa të marrë pjesë në stërvitje... Ne do ta marrim shumë seriozisht këtë ndeshje dhe do të mundohemi të fitojmë”, tha ai.
Edhe portieri Kasper Schmeichel u shpreh se pret që ndeshja të jetë interesante për shikuesit.
“Assesi nuk kemi iluzione që do të jetë një ndeshje e lehtë. Kemi ardhur këtu për të luajtur futboll dhe besoj se do të kemi një ndeshje të mirë”, u shpreh ai.
Ndeshja Kosovë – Danimarkë fillon nga ora 19:00 dhe do të jetë një sprovë për përfaqësuesen kosovare para sfidës së parë të kualifikimeve për evropianin 2020, kundër Bullgarisë të hënën e ardhshme në ora 20:45, në Prishtinë.