Kampionia në fuqi, Besa Famgas do të sfidohet nga Prishtina në derbin e xhiros së 22-të të Superligës A të Kosovës në hendboll (meshkujt).
Kjo ndeshje luhet të mërkurën nga ora 18:00 në palestrën "Karagaçi" në Pejë.
Besa në fundjavë është kthyer në vendin e parë në tabelë, ndërsa po synon të vazhdojë dominimin prej shumë vitesh në hendbollin kosovar. Besa i ka 38 pikë, ndërsa me pikë të njëjta në vend të dytë është Kastrioti i Ferizajt, transmeton Koha Ditore.
Kastrioti këtë edicion është rivali kryesor i Besës për titull, por një disfatë skuadrës pejane në vjeshtë ia ka shkaktuar Prishtina. Prishtina është e treta me 32 pikë.
Edhe dy ndeshjet tjera të xhiros së 22-të të Superligës A luhen të mërkurën. Nga ora 18:00 në Ferizaj takohen Kastrioti e Drita, kurse prej orës 20:00 luajnë Vushtrria e Vëllaznimi.
