Është shpresuar që cikli i ri eliminator të jetë një fillim i mbarë për Kombëtaren e Shqipërisë në futboll. Por shenjat e para nuk janë shumë premtuese. Shqipëria ka dështuar të shfaqë nivel me përzgjedhësin Christian Panucci, dhe tekniku italian vazhdon të mos ketë raportet më të mira me lojtarët, të paktën me një pjesë të tyre.
Italiani 45-vjeçar, që si lojtar ishte emër i madh evropian, ka lënë jashtë kombëtares për dy ndeshjet e këtij muaji portierin Thomas Strakosha, për shkak se nuk ia ka dalë të jetë me kohë në grumbullim. Ndërkohë të hënën majtaku, Ermir Lenjani ka theksuar se nuk do të luajë për kombëtaren për aq kohë sa ajo drejtohet nga Panucci, shkruan Koha Ditore.
Kuqezinjtë patën fushatë dëshpëruese në Ligën e Kombeve të UEFA-s duke humbur tri nga katër ndeshjet dhe mbetën të fundit në grup pas Skocisë e Izraelit. Në kualifikimet për "Euro 2020", kombëtarja shqiptare është në Grupin H së bashku me Francën, Islandën. Turqinë, Moldavinë e Andorrën. Të premten Shqipëria takohet me Turqinë në "Loro Boriçi" të Shkodrës, derisa më 25 mars luan në udhëtim ndaj Andorrës.
Ermir Lenjani, që po luan për Sionin në Superligën e Zvicrës, ka lënë të kuptohet se është ftuar me vonesë nga Panucci, pas telasheve me lëndime të disa lojtarëve të tjerë. Lenjani (29) i ka 26 ndeshje e tre gola të shënuar me Shqipërinë. Ai luan për Shqipërinë prej vitit 2013, ndërsa thotë se është krenar për këtë. Ka thënë se ftesën gjithnjë e ka pranuar me dashuri dhe se me dashuri ka veshur edhe fanellën kuqezi. Më tej ka shkruar se ka qenë gjithnjë gati, ka sakrifikuar shumë, është gjakosur, ka qarë e qeshur si lojtar i Shqipërisë... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)