Sport

Challandes: Ndeshja ndaj Danimarkës më shumë se miqësore, por fokusi te Bullgaria

Descriptive Text

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes, ka mbajtur një konferencë për media para ndeshjes miqësore kundër Danimarkën ku ka theksuar se sot do të fillojë një cikël i ri kualifikues që është sfidë e re për Përfaqësuesen.

Challandes ka treguar se Përfaqësuesja e Kosovës do të jetë përballë kundërshtarëve krejt tjerë prej atyre që janë në Ligën e Kombeve, në të cilën ka pasur sukses.

“E dimë çfarë na pret pasi nuk luajmë kundër kundërshtarëve të Ligës D. Ne tani fillojmë nga zero. Fokusi është Bullgaria, por ne kemi pranuar të luajmë kundër Danimarkës që do të jetë një test dhe nuk do të jetë miqësore por shumë më shumë”, ka thënë trajneri i Kosovës, Challandes.

Gjithashtu, Challandes tha se është nder të luajmë kundër Danimarkës sepse ajo është lartë në ranglistë të FIFA-së, raporton KTV.

“Është ekip që ka luajtur deri 1/8 e finales së Botërorit. Kemi fituar kundër Azerbajxhanit 4:0, por tani është histori tjetër dhe për ndeshjen ndaj Danimarkës është përgatitje për ndeshjen me Bullgarinë. Do ta testojmë si mund të mbrohemi si ekip ndaj një force që ka Danimarka. Dua ta shoh si ekipi im mund të mbrohet”, ka theksuar Challandes.

Si qëllim i dytë i Challandesit është ruajtja e topit kur ekipi i Kosovës do ta ketë në posedim, ndërsa qëllimi i tretë është që të sheh lojtarët në formë që do të shënojnë dhe a do të mund të krijojnë raste për gola kur dihet se kanë shënuar gola lojtarët tanë si Rashica, Zeneli, Muriqi e Celina, raporton KTV.

“Kemi krijuar shumë raste por kemi realizuar pak dhe tash duhet ndaj Bullgarisë apo Danimarkës t’i shfrytëzojmë rastet. Rashica tash ka filluar të shënojë gola dhe ta shfaq potencialin e po ashtu edhe Zeneli. Nëse vazhdojnë kështu, Kosova ndoshta do të jetë një befasi”, ka shtuar trajneri zviceran.

Challandes, po ashtu, ka folur edhe për lëndimin e Valonit dhe Hekuranit.

“Valoni nuk ka luajtur shkaku i lëndimit, por ne kemi në atë pozitë edhe Celinën që është duke u paraqitur mirë. Valoni nuk do të jetë me ne sepse nuk është lejuar edhe nga klubi. Hekurani është në pritje të testeve të fundit por ai ende nuk ka lejen por shpresojmë ta kemi për ndeshjen kundër Bullgarisë. Po asht, nuk ka lejen edhe kundër Danimarkës por e mira është që nuk ka thyerje në shpinë”, ka sqaruar ai.

Gjithashtu, trajneri zviceran ka treguar se qëllimi i tij është që ekipi i Kosovës të zhvillohet. Ai po ashtu ka treguar se ka kontaktuar me lojtarë të rinj.

“Ne do të shkojmë ndeshje për ndeshje dhe nuk është natyra e punës time të them që do të jemi në vendin e dytë apo të kemi dhjetë pikë. Qëllimi është të zhvillohemi dhe nuk kemi ndërtuar katin e parë akoma. Diku thellë në mendjen time ekziston edhe ëndrra për të arritur sukses. Kam punuar shume gjatë kësaj periudhe dhe kam bërë kontakte me disa lojtar për të ardhmen dhe disa lojtar kërkojnë kohë për të marrë vendime. Kemi pasur kontakt me Hadërgjonajn, Rexhbecajn, Meritan Shabanin, Muslijajn si dhe me Vallcin”, tha Challandes.